Të jetosh në Tiranë po bëhet mision i pamundur

Sebastjan Zonja

Moratorium për prerjen e pyjeve, moratorium për ndërtimet pa leje, moratorium për gjuetinë… dhe sa moratoriume, masa drastike të tjera duhen për t’i rikthyer së paku një pamje natyrale Shqipërisë. Nëpër  çdo rrugicë të Tiranës që lëviz, sheh lart një qiell të prangosur nga telat e korrentit dhe të internetit, nuk të bën hije asnjë pemë tek rrotullohesh nëpër qytet dhe një ndotje akustike të tmerrshme nga boritë e makinave, ndotje vizuale nga disa ngjyra pallatesh që duken sikur dalin nga Bota e Çudirave të Lizës. Një vend mesdhetar, plot diell, që lyen pallate ngjyrë lejla, të zinj!!! Një qytet që e shoh plot me trishtim sepse nuk shoh dot qiellin nga pallati, por gazmaraz se me telekomandën time mund t’i ndërroj stacionin e televizorit komshiut.

Të gjithë projektet për ndërtimet e reja kanë vajtur ashtu si kërkojnë dhe standardet europiane, me shkallë zjarri, parkim nëntokësor, masa antitërmet, dhe një sipërfaqe të mbjellë me pemë përpara pallatit, a kompleksit. Shumë pak i plotësojnë këto kushte. Ndoshta po jetojmë në një Shqipëri më të mirë se para 20 vitesh, kjo për shkak të zhvillimit ekonomik, por nuk po jetojmë në një Shqipëri më të pastër, me më shumë natyrë. Uria për të ndërtuar në Tiranë ka rënë, ka rënë kërkesa për të blerë në tregun imobiliar, kanë nisur protesta, qoftë dhe sporadike, për interesat e komunitetit. Por sa dëgjohet zëri i tyre? U protestua për armët kimike, në vitin 2013 për importin e mbetjeve, sërish në vitin 2016 për importin e mbetjeve… Vallë Republikë e interesave private qenkemi që duhet të protestojmë sa herë për të mbrojtur mjedisin, të ardhmen tonë?

Çdo mëngjes kur më duhet të shkoj për në punë më duhet të përballem me një trafik të paparë, ndotje të madhe të ajrit nga bloza që nxjerrin makinat dhe autobusët. Transporti automobilistik është përgjegjës për lëshimin në mjedis të 24% të pluhurit, 77% të monoksidit të karbonit. Shtimi i rrugëve të reja nuk është zgjidhje për trafikun, pasi studimet tregojnë se ai rriten në përpjestim të drejtë me hapjen e rrugës së re. Shtimi i transportit publik është një zgjidhje shumë e mirë që qytetarët të kursejnë dhe të bëhen më të përgjegjshëm për mjedisin që na rrethon. Mua më duhet të dal  gjysëm orë, apo një orë më parë se po bëhen ndërtime në qëndër të Tiranës dhe ka shumë trafik. Pasi u mendova gjatë dhe gjeta një zgjidhje të thjeshtë: Bleva një dyrrotak. Me gjithë ato abone që duhej të blija për gjithë vitin, mund të blija një dyrrotak të mirë. Dhe e bleva. Tani kursej kohë, dhe nuk asfiksohem nga urbanë që herë e ndezin kondicionierin ose aspiratorin, herë jo.

Po ata që bllokohen me orë të tëra në trafik përditë? A nuk është gjithcka ekonomi tani në kapitalizëm? Ndoshta është, por është edhe “circulation economics”, një imazh jo vetëm ekonomik por dhe ekologjik i njeriut në botën që e rrethon. Duke kufizuar daljen me makinë, mund të kursesh që të blesh një dyrrotak të mirë, nga ato me bateri madje. Sikur për 300 lekë më shumë naftë a benzinë më shumë që shpenzon nga trafiku në ditë, në fund të vitit kursen 108.000  lekë për të blerë dyrrotak të mirë për të shkuar më shpejt, më “ekologjikisht” në punë. Madje, nuk e di a janë vënë në punë ato dy aparaturat që janë dhuratë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që i vrau Ministria e Shëndetësisë në vitin 2013 sepse nuk u “gjetën” pjesët e ndërrimit? Ka vënë në punë dy stacione të tjera Ministria e Mjedisit, por duhen së paku katër stacione për të bërë një matje konkrete. Përkatësisht ato quhen “stacione trafiku”, “stacione bekgraundi urban”, “stacione bekgraundi suburban”, dhe “stacione bekgraundi rezidencial urban”. Me mesataren e këtyre katër vlerave del dhe niveli i ndotjes.

Debati që kishte nisur në vitet 2000 për planin urbanistik tashmë është i ezauruar, por duket më shumë sikur kemi bërë arnime të qytetit, se planifikime urbane. Kemi krijuar oaze, por jo zhvillim të qëndrueshëm. Sipas mënyrës që jetojmë ne shqiptarët do të duheshin 1.6 globe për ta përmbushur këtë dëshirë për gjithë banorët e Tokës. Po pse vallë?

Pra, kemi një koeficent shumë të keq, 0.8 metër katror gjelbërim për cdo banor kur kjo duhej të ishte 9 metër katror për banor. Kemi betonuar, kemi zhdukur parqe dhe pemë për të zhdukur parqet rekreative ku ne dhe fëmijët tanë do të luajnë   sport dhe bëjnë aktivitet fizik.

Edukata mjedisore është ende në nivele shumë të ulëta; si për ndarjen e mbetjeve, moshedhjen e tyre vend e pavend, shfrytëzimin e energjisë diellore… Kjo kërkon përvecse qeveritarë të përgjegjshëm, kërkon atë më kryesoren EKOQYTETARËT. Kodi Penal përfshin ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit, por jo atë të tokës? Edhe pse e kemi nënshkruar konventë e Aarhusit, nëse e kemi frenuar ndërtimin e paligjshëm, kemi vendosur moratorium, pse nuk e sanksionojmë me ligj penal ndotjen e tokës? A nuk është njësoj krim si ta ndotësh tokën, të presësh pyllin dhe të shkarkosh naftën në det?

Unë mendoj se problemi nuk është thjesht i politikbërëseve, por dhe i komunitetit. Nëse politikbërja nuk ndërton ura komunikimi me publikun, dhe ne i japim kurdoherë politikës konotacion negative, nuk do të krijojmë ndërveprim, por thjesht retorikë dhe distanicim. Problemet e mëdha të mjedisit zgjidhen me protesta, por zgjidhen dhe me dialog dhe ndërveprim e ndërgjegjësim. Zhvillimi i qëndrueshëm është e vetmja mënyrë për të patur zhvillim dhe turizmëm në Shqipëri.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s