Rruga si faktor kyç i zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit

Mariglen Bita

U bë tashmë një kohë e gjatë që në mediat shqiptare të çdo lloj forme  trajtohen problematika të infrastrukturës dhe padyshim fjala rrugë apo mungesa e një rruge përbëjnë edhe kryefjalën e çdo fjalie. Edhe këtë here, bëhet sërish fjalë për një rrugë, por me specifikën se ndërtimi apo sjellja e saj në  parametra bashkëkohorë nuk i shërben thjesht publikut, por ruajtjes së mjedisit si edhe kthimit në realitet të një vizioni. Bëhet fjalë për rrugën qe të, çon nga Drenova e Korçës e deri në brendësi të parkut kombëtar “Bredhi i Drenovës” i njohur për banorët e rajonit të Korçës edhe si “Parku i Bozdovecit”. Bëhet fjalë për një distancë prej gati 4 km që nga hyrja e parkut e deri në qendër të tij. Ndërsa duhet thënë se distance nga qyteti i Korçës e deri në hyrje të parkut është vetëm 6 km. Është pikërisht kjo afërsi me qendrën urbane një arsye më shumë për t’i dhënë prioritetin e duhur ndërtimit të një rruge të re. Kjo është e lidhur ngushtë me shfrytëzimin për qëllime turistike të parkut, por edhe kthimin e tij në vëmendjen e banorëve dhe autoriteteve vendore.

Për të kuptuar se përse bëhet fjalë, po paraqes në mënyrë të përmbledhur disa nga resurset që mbart ky park kombëtar, i cili në vitet e tranzicionit është lënë në harresë apo është përmendur vetëm në rastin zjarreve masive, që e rrezikuan ekzistencën e tij rreth 3 vite më pare, ku sipas disa të dhënave zyrtare u përfshi nga flakët mbi 30% e sipërfaqes së parkut.

Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës u krijua në vitin 1966. Parku përfshin një sipërfaqe prej rreth 1380 ha, pjesën më të madhe të së cilës e zënë pyjet  e bredhit pishës dhe ahut dhe në  disa pjesë ndodhen livadhe e kullota. Në brendësi të parkut rriten rreth 35 loje drurësh e shkurresh si edhe një larmi barishtesh me vlera kurative. Gjithashtu, ky park ofron mbrojtje për mjaft kafshë e shpendë një pjesë e të cilave janë në rrezik zhdukje. Ndër to spikasin ariu, derri i egër, shqiponja, dhelpra, kunadhja e mjaft kafshë e specie të tjera. Është pikërisht shumëllojshmëria e gjallesave që zhvillohen në këtë park kombëtar që vitet e fundit ka tërhequr mjaft vizitorë kryesisht të huaj që vizitojnë nga afër këtë mrekulli të natyrës. Më së shumti janë turistët çekë ata që mahniten nga bukuritë dhe resurset e parkut më pas vijnë ata gjermanë, francezë, italiane etj. Për shkak të mosnjohjes, por edhe mungesës së rrugës turistët vendas janë të pakët me përjashtim të banorëve nga qyteti i Korçës, që vijnë shpesh të organizuar për të shijuar bukuritë e parkut, por edhe për ta rruga mbetet një problem.

Krahas resurseve natyrore në brendësi të parkut ndodhen dy objekte kulti, “Shën Pjetri” dhe “Shën Ilia” dy kisha të besimit ortodoks me vlera të veçanta të arkitekturës, të cilat dëshmojnë edhe zhvillimin e jetës sociale dhe besimit në këtë zonë në shekujt e kaluar. Një objekt i veçantë natyror në këtë park është “Guri i Cjapit”. Ai është monument natyre dhe ndodhet në lartësinë 1550 m mbi nivelin e detit. Guri gjigant ka formën e një koke cjapi dhe vite më parë ai shërbente si pikë takimi për alpinistët dhe të pasionuarit e sporteve malore. Si kujtim i së shkuarës kanë mbetur vetëm gozhdët e ngulura në shkëmb. Në brendësi të parkut ndodhen mjaft burime me ujë të kulluar si “Burimi i Stanit”, “Burimi i hajdutit” dhe “Burimi i kokës së ariut”. Ky përshkrim i shkurtër mbi atë çka është dhe përmban “Bredhi i Drenovës” është i nevojshëm për të kuptuar potencialin e tij si pasuri kombëtare .

Padyshim që këto resurse s’ka se si të mos shihen edhe nga një këndvështrim ekonomik siç është zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm me respekt për mjedisin. Gjatë viteve të fundit turizmi është kthyer ne kryefjalë për zhvillimin rajonal dhe kombëtar, por retorika qëndron larg realitetit. Gjendja e rrugës në këtë park kombëtar tregon pikërisht të kundërtën. Rruga është e pakalueshme për automjetet e vogla , ndërsa kësaj i shtohet edhe mungesa e shërbimeve në brendësi të parkut për shkak të mungesës së energjisë. Deri pak vitesh parku administrohej nga “Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor Korçë” që menaxhonte këtë pasuri por sfida e saj kryesore për vite me radhë ishte mbrojtja e parkut nga prerjet e paligjshme të drurëve , ndërsa projekte për zhvillimin e parkut apo edhe sistemimin e rrugës edhe nëse ka patur ato nuk janë finalizuar.

Tani, ky park administrohet nga “Agjencia e Zonave të Mbrojtura”. Sipas informcioneve nga burime pranë kësaj agjencie ekziston një projekt për ndërtimin e rrugës por drita jeshile për financim mungon. Më shumë se vlera financiare per një rrugë prej 4 km duket se ajo që prish punë është mentaliteti dhe mungesa e vizionit për të investuar. Për skeptikët që mendojnë se ndërtimi i një rruge do të dëmtonte mjedisin apo parkun në tërësi, jam tërësisht kundër, pasi shembujt këtë tregojnë. Për ta ilustruar po marr si shembull Maqedoninë fqinje ku vetëm disa kilometra larg kufirit me Shqipërinë ndodhen dy parqe kombëtare “Parku i Galicicës” dhe “Parku i Pelisterit”. Në të dyja këto parqe, të cilat kam patur fatin t’i vizitoj dhe t’i shëtis, ka rrugë të shtruara me asfalt deri në qendër të parkut dhe rrugë të tjera të shtruara me kalldrëm, që të shpien në shtigje malore dhe që mirëmbahen rregullisht. Madje, në godinat e administratës së këtyre parqeve ku ndodhen edhe muzetë mund të ngjiten edhe autobuzët me fëmijë shkollash apo të rritur. Në një kontakt që pata me drejtorin e parkut të Pelisterit z, Ahmet Haxhiu, i cili ishte shqiptar mësova se ekzistenca e rrugës lehtëson punën e administratës së parkut pasi në rastet e raportimit të një vatre zjarri ndërhyrja ishte e shpejtë dhe flakët mund të lokalizoheshin pa shkaktuar dëme të mëdha. “Zjarri është i pamëshirshëm” më tha ai “dhe nëse infrastruktura mungon, ne nuk mund ta parandalojmë dhe ta menaxhojmë atë.” Menjëherë më erdhi në mendje zjarri i pak viteve me parë në parkun e Bozdovecit ku si gazetar e pashë se veç lutjeve për shi asgjë tjetër nuk mund të bëhej. Asnjë makinë zjarrfikëse nuk mund të ngjitej pranë vatrave të zjarrit. Rezultati ishte shkrumbosja e një sipërfaqe të konsiderueshme. Duke bërë këtë shkrim për mjëdisin mund të sillja mjaft problematika të tjera që kanë të bëjnë me Parkun Kombetar të Bozdovecit si prerjet e paligjshme të bredhave shekullorë në qendër të tij, kërkimet për ar të fshehur duke gërmuar vend e pa vend, erozionin dhe çështje të tjera, por mendoj se ndërtimi i një rruge që do ta bënte këtë park të vizitueshëm dhe do ta mbronte nga rreziqe të tjera, natyrore dhe jo, i paraprin mbrojtjes dhe zhvillimit të parkut.

Nuk dua të lë pa përmendur në këtë shkrim edhe z. Berti Qeraxhi, i cili është përpjekur për vite me radhë për ndërtimin e një rruge, por pa ia dalë dot. Kërkësat e tij drejtuar institucioneve vendore, por edhe atyre qendrore për çështjen e rrugës deri tani nuk kanë marrë zgjidhje. Z.Qeraxhi është zotërues dhe trashëgimtar i disa objektëve të vogla në zemër të parkut që ai i quan “vila” dhe që mund të përdoren nga vizitorë apo turistë. Herën e fundit më tha se ka humbur shpresën se do të bëhet diçka. “Lekë të hedhura kot,” më tha. “Harresa për një vend qenka më e rëndë se dëmi që vetë natyra apo njeriu mund ti shkaktojë mjedisit.” Ndoshta z. Qeraxhi ka të drejtë, por unë si optimist i pandreqshëm do të doja që kjo të mos ishte e vërtetë. Shpresoj që ky shkrim të ngjallë sadopak kureshtje dhe rruga për në Parkun Kombëtar të Bozdovecit të bëhej realitet. Kjo do t’i shërbente parkut, komunitetit, por edhe pushtetit cilido qoftë ai , për të parë se afërsia me një park kombëtar nuk është si afërsia me detin por sidoqoftë është diçka me vlerë që nuk duhet të qëndrojë në hije.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s