Radoni vret si cilësia e ndotur e ajrit, asnjë matje dhe kontroll në vite

Sonila Mesareja

Ekspertët: Dëmton mushkritë dhe shkakton kancer, duhet kujdes në zyra dhe banesa. Ajrosini shpesh. Ekspertët Mema e Deliu: Nuk ka asnjë raport për nivelin e ndotjes nga radoni në Tiranë. AKM: Vetëm cilësinë e ajrit kemi matur, për nivelin e radonit nuk kemi asnjë të dhënë apo raport

 Radoni, ashtu si dhe cilësia e ndotur e ajrit, në vend vrasin njëlloj, ngadalë dhe pa e kuptuar. Askush nuk e ka marrë ende seriozisht kontrollin e nivelit të radonit në vend, aq sa në raportet vjetore për mjedisin, mungon një aneks i veçantë ku të flitet për ndotjen që i vjen mjedisit nga ky gaz radioaktiv. Për të marrë një informacion lidhur me matjet që kanë bërë ekspertët për nivelin e radonit në kryeqytet kërkuam një informacion nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit, por aty na thanë se mund të na jepnin në kohë reale informacion për ndotjen e ajrit, ujit por jo për radonin. Nuk dispononin asnjë informacion apo raport për nivelin e radonit në kryeqytet apo në gjithë vendin. Të njëjtin informacion e kërkuam edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe na orientuan për të Agjensia Kombëtare e Mjedisit, pra edhe aty nuk ishte një person që mund të jepte informacion për radonin. Ashtu si edhe më herët, kontaktuam specialistin e vjetër në rang vendi për matjen e radonit, ekspertin Shkëlqim Mema, lidhur me ndonjë raport të mundshëm për matjet e kryera apo nëse ka stacione të ngritura në kryeqytet për matjen e gazit radioaktiv që krijohet si rezultat i shpërbërjes se uraniumit që ndodhet në tokë, kryesisht në zonat më të përfolura për nivel të lartë të radonit. “Nuk ka stacione të tilla për matjen e radonit, madje mund të them që nuk janë bërë matje prej vitesh për nivelin e radonit në vend. Gjendja është po aq e rëndë sa ka qenë. Tashmë njerëzit duhet të bëhen të ndërgjegjshëm vetë për të marrë disa masa për të ruajtur veten nga dëmtimi prej ekspozimit në ambjent me nivel të lartë radoni. Ekspertë ka, por ata janë “pushim” gjithë vitin si në muajin gusht, për sa kohë nuk ka fonde dhe aparatura për të bërë matjen e nivelit të radonit në vend” shprehet eksperti Mema, me përvojë gati 40-vjeçare në Ministrinë e Mjedisit dhe më herët në Institutin e Shëndetit Publik, i cili tashmë doli në pension dhe shprehet se i vjen keq që asnjë qeveri nuk e ka vlerësuar si duhet këtë problematikë. “Nuk ka një ligj që të sanksionojë detyrimin për matjen e nivelit të radonit, mbajtjen nën kontroll të tij dhe ndërhyrjen në rast të rritjes së nivelit të përcaktuar. Në fakt, ka kohë që nuk ka raporte që të tregojnë gjendjen reale në kryeqytet të nivelit të këtij gazi, megjithatë dua të shtoj se zonat problematike janë të njëjtat” vijon eksperti Mema të na flasë për mangësitë që ka në ligj dhe për pasojë edhe mungesën e raporteve periodike apo dhe vjetore për nivelin e radonit në Tiranë dhe në gjithë vendin.

Zonat problematike

Niveli i radonit është i lartë në disa zona në kryeqytet. Harta nuk ka ndryshuar në vite. Ekspertët shprehen se segmenti nga ‘Kinostudio’ deri tek ‘Vasil Shanto’ dhe nga ‘Kinostudio’ deri në ‘Kombinat’ ka rezultuar me përqindje të lartë radoni. Flasim për zonat e banuara, pasi nivel të lartë ka edhe në zona të tjera në kryeqytet, si Dajti dhe Priska. Sipas ekspertit Mema, në vendet me përqindje më të lartë të uranit, ka edhe lëshim më të madh të gazit radioaktiv.

Sipas tij, hapësirat e mbyllura sjellin mundësinë për përqëndrime më të larta, që duke u thithur me ajrin, krijon mundësinë që fragmentet pasardhës të radonit që janë materiale radioaktive, si grimca ngelen në traktin respirator. “Ato qëndrojnë aty dhe dëmtojnë indet duke sjellë sëmundje të rënda”, shprehet Shkëlqim Mema. Sipas tij, vetë radoni gjatë shpërbërjes së tij ka elementë radioaktive, të cilat shkaktojnë kancer të mushkërive tek njerëzit. Një apel ka eksperti mbi 40-vjeçar në këtë fushë për ndërtuesit. “Banesat që bëhen për çfarëdo lloj funksioni që të kenë, ndërtuesit duhet të kenë parasysh të kenë një monitorim paraprak të situatës. Studimet duhet të jenë pjesë e politikave të zhvillimit dhe të ndërtimit pikërisht për t’u orientuar drejt projekteve që do të ngrihen”, thotë Mema. Ai shprehet se ka një mungesë informacioni tek ndërtuesit, të cilët para fillimit të çdo ndërtimi duhet të kryejnë studimin nëse ka ose jo radon në sipërfaqen që ata ndërtojnë. Gjithashtu, edhe për lëndën e ndërtimit që përdorin, të cilat shpesh merren nga zona apo vende të tjera me përmbajtje të lartë radoni.

Ku është më i lartë niveli i radonit

Shtëpitë njëkatëshe kanë një përqëndrim më të madh të nivelit të radonit sesa banesat e reja. Ato janë më të predispozuara për të qarkulluar dhe futur radonin në ambjentet e brendshme. Por jo vetëm, edhe ndërtesa të vjetra disa katëshe, në katet e para dhe të dyta rezulton nga matjet të ketë një përqëndrim të madh të nivelit të radonit. Për këtë arsye sugjerohet nga ekspertët ajrosja e banesave gjatë gjithë ditës, dhe e zyrave deri një orë para nisjes së punës. Në matjen e realizuar nga një ekspert i radonit në një nga zyrat shtetërore, e cila ndodhej në kat të parë, rezultoi se niveli i radonit aty ishte 3-fishi i normës së përcaktuar nga BE.

“Ditën e premte, pasi përfunduam punën, në zyrë bashkë me ekspert Safetin vendosëm në zyrë një aparat matës të radonit, për ta monitoruar ditën e hënë sa do ishte niveli. Kur shkuam në zyrë dhe pamë aparaturën, u shokuam, niveli ishte 3 herë më i lartë se norma e përcaktuar nga BE” shprehet profesor Petrit Zorba, lidhur me këtë eksperiment të bërë në zyrën e tyre në katin e parë, nisur nga dyshimet se aty kishte përqëndrim të nivelit të lartë të radonit. “Edhe më herët, por tani më shumë pasi konstatuam sa i lartë është niveli i radonit në zyrë, një orë para nisjes së punës hapim dritaret për ajërosje dhe më pas nisim ditën. Në fakt, radoni dëmton mushkritë dhe e konstaton shumë vonë ndaj duhet të ruhen të gjithë” shprehet profesor Zorba. Kjo këshillë jepet edhe nga eksperti Mema, i cili për të gjithë sugjeron një ajërosje të detyrueshme për disa orë të ambjenteve të vjetëra si banesa apo zyra, ndërtesat e vjetëra 1-katëshe, por edhe nëpër pallatet e reja, pasi ka shumë dyshime për materialet e përdorura për shkak të origjinës së tyre, pra vendit nga janë marrë. “Atë që nuk bëjnë ndërtuesit, pra nuk marrin asnjë informacion ku marrin lëndën e parë të ndërtimit, ta bëjmë ne si qytetarë për të mbrojtur veten, pra ajrim sa më shumë të banesave dhe kontrolle periodike mjekësore për të parë gjendjen tonë shëndetësore, qoftë për shkak të dëmtimeve nga radoni, qoftë edhe për shkak të cilësisë së ndotur të ajrit” apelon eksperti Mema.

Niveli i radonit, sipas rregullores

Në websitin e Ministrisë së Shëndetësisë, te Komisioni i Rrezatimit gjen një rregullore të miratuar për matjen e nivelit të radonit. Por, realisht, nuk gjen asnjë raport që mund të të japë informacion se sa është niveli i radonit në vend. Prandaj gjen vend shpesh shprehja se kemi ligje dhe rregulla të mira por vetëm se nuk gjejnë zbatim. Të kontaktuar rreth një raporti të mundshëm për radonin, nga Instituti i Shëndetit Publik në varësi të këtij institucioni na thanë se “nuk ka një raport për nivelin e radonit në Tiranë. Në raportet që kemi nxjerrë deri tani nuk e kemi përfshirë matjen e nivelit të radonit, por vetëm cilësinë e ndojtjes së ajrit”. Sipas ekspertit Agron Deliu, në asnjë aneks të raporteve të tyre, as në këtë të fundit që paraqet gjendjen vjetore të cilësisë së ajrit për vitin 2013, nuk përfshihet matja e nivelit të ndotjes nga radoni. Eksperti Deliu na vë në dispozicion raportin për vitin 2013 për cilësinë e ajrit dhe aty shihet qartësisht se dëmtimet nga radoni asqë janë përfshirë. Edhe AKM, e cila mat nivelin e ndotjes në mjedis, në raportet e saj përfshin ndotjen e cilësisë së ajrit, ujit por jo radonit. “Nuk kemi asnjë të dhënë apo raport për matjen e nivelit të radonit në vend” shprehet drejtori i AKM, Julian Beqiri. Po çfarë thotë rregullorja e miratuar në vitin 2011. “Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i niveleve të lejuara për përqendrimin e radonit në ndërtesa dhe ujë, radiobërthamave në ushqime dhe materialet e ndërtimit, si bazë për mbrojtjen e publikut, personave të ekspozuar profesionalisht, dhe mjedisit nga ekspozimi ndaj rrezatimeve jonizuese” thuhet nenin 1 të saj, duke shtuar më poshtë edhe sa duhet të jetë maksimumi i lejuar i përqendrimit të radonit në ndërtesat e banimit, publike dhe vendet e punës. “Në ndërtesat e reja mesatarja vjetore e përqendrimit të radonit në mjediset e brendshme duhet të jetë jo më shumë se 200 Bq/m3. Në vendet e punës në ndërtesa të reja, të cilat përdoren më shumë se 80% të kohës së punës, mesatarja vjetore e përqendrimit të radonit gjatë orëve të punës duhet të jetë jo më shumë se 200 Bq/m3. Nëse ndërtesa e re e vendit të punës përdoret më pak se 80% të kohës së punës mesatarja vjetore e përqendrimit të radonit gjatë kohës së punës duhet të jetë jo më shumë se 400 Bq/m3. Mesatarja vjetore e përqendrimit të radonit në mjediset e brendshme të ndërtuara përpara vitit 2000 duhet të jetë jo më shumë se 400 Bq/m3” thuhet në rregullore, por që askush nuk e vret mendjen për të monitoruar apo matur në pika të veçanta nivelin e radonit në kryeqytet. Në rregullore, përcaktohet qartësisht edhe maksimumi i lejuar i përqendrimit të radonit dhe radiobërthamave në ujin e pijshëm. Sipas rregullores, në ujin e pijshëm, duke përfshirë gjithë sistemin e shpërndarjes së tij, ujin e paketuar dhe ujin i cili përdoret për përgatitjen e ushqimeve, do të aplikohen këto norma të përqendrimit të radonit: a) Përqendrimi i radonit në ujin e pijshëm duhet të jetë jo më shumë se 100 Bq/l kur: i) mesatarja ditore totale e konsumuar është mbi 10 m3 ujë; i) shërben për 50 ose më shumë persona; iii) shpërndahet si pjesë e aktiviteteve industriale ushqimore ose tregtare; b) Përqendrimi për radiobërthamat emetuese alfa duhet të jetë jo më shumë se 0.1 Bq/l; c) Përqendrimi për radiobërthamat emetuese beta duhet të jetë jo më shumë se 1 Bq/l. As për nivelin e radonit në ujin e pijshëm apo dhe në produktet ushqimore apo industriale nuk ka matje, madje sipas ekspertit Mema, askujt nuk i shkon në mendje dhe kjo vjen edhe për shkak të mungesës së fondeve.

Ndërtesat e reja, sa duhet të jetë niveli i lejuar i radonit

Ndërtuesit duhet të masin nivelin e radonit jo vetëm në zonën ku do ndërtojnë, por edhe në materialet e ndërtimit që do përdorin për ngritjen e objekteve të reja, qoftë për banim, qoftë edhe për zyra. Por, sipas ekspertëve, askush nuk e bën një gjë të tillë. Udhëzuesi për nivelin e lejuar të indekseve të aktivitetit të radiobërthamave në materialet e ndërtimit dhe produktet e ndërtimit nuk zbatohet nga asnjë ndërtues. Sipas rregullores, udhëzuesi për nivelin e lejuar të indekseve të aktivitetit të radiobërthamave në materialet e ndërtimit dhe produktet e ndërtimit bazohet në dozën e lejuar efektive prej 1mSv në vit për publikun. Materialet e ndërtimit dhe produktet e ndërtimit përdoren pa kufizim për çdo sasi, nëse indeksi i aktivitetit nuk kalon vlerën 1 sipas formulës së mëposhtme: I= aRa + aTh + aK 300 200 3000 (aRa, aTh, aK janë përqendrimet e Ra-226, Th-232, K-40 në Bekerel për kilogram). Gjithashtu, materialet e ndërtimit dhe produktet e ndërtimit përdoren për ndërtimin e rrugëve dhe bankinave, nëse indeksi i aktivitetit nuk kalon vlerën 1 sipas formulës së mëposhtme. I= aRa + aTh + aK + aCs 700 500 8000 2000 (aRa, aTh, aK, aCs janë përqendrimet e Ra-226,Th-232, K-40 dhe Cs-137 në Bekerel për kilogram). Materialet e ndërtimit dhe produktet e ndërtimit përdoren për mbushje dhe nivelim, nëse indeksi i aktivitetit nuk kalon vlerën 1 sipas formulës së mëposhtme: I= aRa + aTh + aK + aCs 2000 1500 20000 5000 (aRa, aTh, aK, aCs janë përqendrimet e Ra-226, Th-232, K-40 dhe Cs-137 në Bekerel për kilogram). Në bazë të rregullores, nivelet e mësipërme janë nivele udhëzuese, por në çdo rast dhe për çdo skenar të mundshëm lidhur me ekspozimet ndaj rrezatimeve duhet që doza efektive për publikun prej 1mSv në vit të mos kalohet. Vlerësimi për nivelin e lejuar të radiobërthamave në skrape të kontrollohet bazuar në nivelin prej 1mSv në vit të dozës efektive së lejuar për publikun sipas metodikave të miratuara nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi (KMR). Kompanitë që punojnë me shkrirjen e skrapeve duhet të sigurojnë kontroll të tyre para shkrirjes dhe në import-eksportet e tyre nga Shqipëria, si dhe të metaleve të shkrira. Por, realisht, asnjë prej këtyre kontrolleve nuk ndodh. Gjatë kontaktit me një ndërtuese, të cilën e pyetëm nëse para se të fillonte ndërtimin realizonte ndonjë matje në zonë për nivelin e radonit apo dhe matjte për materialet që përdorte, ngriti supet dhe na tha se “as nuk e kisha dëgjuar në fakt të flitet për radonin. Tani po marr informacion mbi rrezikshëmrinë e radonit në banesa apo dhe material ndërtimi.

Matjet

Metodika e matjeve të niveleve të lejuara miratohet nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi (KMR), me propozim të institucioneve të cilat realizojnë matjet. Matjet e kryera janë subjekt i inspektimit nga ana e inspektorëve të Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi (ZMR). Inspektorët verifikojnë personat juridikë e fizikë nëse ato kanë certifikatat përkatëse në lidhje me nivelin e lejuar. Në fakt, nga interesimi ynë pranë institucioneve që realizojnë matjet për nivelin e ndotjeve të mjedisit, na rezulton se prej vitesh nuk bëhen matje të nivelit të radonit në vend. Madje, këtë na e konfirmoi edhe vetë eksperti për matjen e radonit në Ministrinë e Mjedisit, Shkëlqim Mema, i cili shprehet se për mungesë fondesh as është bërë në vite ndonjë matje apo të dilet me ndonjë raport.

Çfarë është radoni

Radoni është një gaz radioaktiv, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë, i pakapshëm nga shqisat e njeriut. Ai krijohet si rezultat i shpërndarjes radioaktiv të uraniumit dhe toriumit, që gjenden në tokë. Ky gaz radioaktiv, për arsye të ndryshme, del nga poret e tokës që përmban elemente radioaktive dhe përhapet në sipërfaqe të saj. Për këtë arsye, ky gaz shfaqet edhe në brendësi të banesave, sidomos në bodrumet dhe në katet e para, por kurrsesi nuk përjashtohet mundësia e pranisë së tij edhe në katet e sipërme. Pra, burim i pranisë së radonit në ndërtesa, është përmbajtja e uraniumit dhe e toriumit, në formacionet e truallit të ndërtesës dhe në materialet e ndërtimit që janë përdorur (kryesisht në gurët dhe rënën që përdoret për ngritjen e pallateve, pasi më parë duhen bërë matjet në vendin ku ato merren. Zona e Dajtit nuk rekomandohet nga specialistët për marrjen e gurëve për themelet e shtëpive).

Radoni, shkaktar i kancerit të mushkërive

Sëmundje fatale për jetën dhe rreziku më i madh, është sidomos për moshat e vogla. Radoni vret si duhani, ngadalë dhe në kohë. Nuk shfaq simptoma që ta identifikosh në kohë, por vret ngadalë me kalimin e viteve. Ky është konstatimi që bëjnë ekspertë të Departamentit të Mbrojtjes nga Rrezatimi dhe të Mjedisit, lidhur me rreziqet që sjell ekspozimi ndaj radonit. Nëse dikush ekspozohet për vite me radhë nga niveli i lartë i radonit, i shkaktohet kanceri i mushkërive. Kjo është arsyeja pse, sipas specialistëve të shëndetësisë, këshillohet matja e radonit në mjediset e shtëpive, pasi çdokush nga ne është i rrezikuar. Madje, specialistët e shëndetësisë shkojnë më tej në referimin e pasojave që sjell ekspozimi ndaj radonit, duke u shprehur se ndotjen nga radoni e shohin si shkaktar të kancerit në 15 për qind të rasteve të pacientëve me kancer në mushkëri. Radoni, sipas specialistit Mema, duke qenë një gaz radioaktiv dhe që formohet kryesisht në tokë nga dhe del në sipërfaqe të saj, hyn në mushkëri përmes frymëmarrjes. Kjo e bën radonin një ndër lëndët më të rrezikshme për jetën, sepse nëpërmjet sistemit të frymëmarrjes ai depozitohet në mushkëri dhe kështu ai fillon të dëmtojë mushkëritë, duke e cilësuar atë një ndër gazrat më të rrezikshëm që shkakton kancer të mushkërive.

Monitorimi i radonit në ujin e pijshëm

Qyteti i Tiranës është me probleme shqetësuese në lidhje me radonin. Tirana vendoset mbi një trashësi aktive të kuqe, që sipas specialistëve, mund të thuhet se prodhon radon. Pikërisht pjesa që dominohet nga shtëpitë e ulëta 1-2-katëshe dhe që çdo ditë po kthehen në ndërtime të reja është pjesa ku zhvillohet kjo trashësi aktive, e cila detyrimisht duhet izoluar për të penguar kalimin e radonit në ndërtesë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s