Pylli i (pa) Fazanëve, kush e largoi shpendin simbol të ish-kënetës së Maliqit!

Mirel Sheme

“Vetëm atëherë kur druri i fundit të jetë prerë, atëherë kur lumi i fundit të jetë helmuar, atëherë kur peshku i fundit të jetë zënë, vetëm atëherë do të kuptojmë që paraja s’mund të hahet”, ky është një proverb i fisit indian Cree, që sot më shumë se kurrë na vendos përpara përgjegjësisë për masakrën që prej kohësh po i shkaktojmë mjedisit.

Qarku i Korçës është një nga zonat më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë, pozita gjeografike, klima, historia i ofrojnë shumë vizitorëve të huaj dhe vendas.

Zona e Korçës ofron qendra të rëndësishme turistike si Voskopoja, Dardha, Boboshtica, Vithkuqi, Prespa etj. Duke u nisur nga Tirana, rreth 13 kilometër para arritur në qytetin e Korçës, në juglindje të Shqipërisë, në krahun e djathtë të rrugës nacionale Pogradec – Korçë, ndodhet qyteza e Maliqit. Rreth 6000 mijë banorë jetojnë në këtë qytezë, e cila të ardhurat kryesore i ka nga emigrimi. Maliqi është një qytet relativisht i ri i krijuar nga ish-regjimi komunist. Para Luftës së Dytë Botërore rajoni ishte një moçal, ndërsa qyteza u krijua pas bonifikimit të ish- kënetës.

Pozita gjeografike dhe klima e favorshme bën që kjo zonë të jetë e përqendruar kryesisht tek bujqësia dhe blegtoria. Rreth 1 kilometër nga qendra e qytezës mu në “zemër” të ish- kënetës, mes fshatrave, Libonik, Orman dhe Drithas i Poshtëm ndodhet Pylli i Fazanëve. Dikur një zonë mjaft e vizituar nga banorët vendas dhe jo vetëm, por që sot për fat të keq është lënë në mëshirë të fatit dhe për më tepër dora e njeriut ka shkaktuar dëme të mëdha.

img1

Historiku i qytezës së Maliqit dhe pylli gjysmë natyral i Fazanëve

Nga të dhënat e grumbulluara në këtë zonë, Maliqi cilësohet si pjesë shumë e rëndësishme arkeologjike, ndër të vetmet në Shqipëri, që i përket periudhës së paleolitit të hershëm. Nga gërmimet arkeologjike në zonën ku sot ndodhet qyteza, në zonën e Vashtimës, si edhe në Sovjan janë gjetur ndërtesat palafite (ndërtesa me drurë mbi ujë) si dhe shumë sende të rëndësishme me vlerë arkeologjike. Në këtë zonë janë gjetur “Macroremains të vona” bimë të kultivuara në periudhën neolitike.

Materiali i tyre përbëhet nga einkorn (Triticum monocoçum L.), Emmer (Triticum dicoçon Schrank), elb (Hordeum vulgare L.), thjerrëz (Lens culinaris Medik.) dhe grashinë e hidhur (Vicia Ervila (L.) Willd.). Këto janë mbetjet e para të bimëve të kultivuara të përshkruara nga një vend arkeologjik në Shqipëri. Qyteti ndodhet mes tre kodrave, ajo e Gradishtës, Kodra e Marjanit dhe Hija e Korbit, në një lartësi prej 820 m, duke e bërë atë një nga qytetet më të larta në vend.

Kodra e Marjanit si dhe ajo e Hijes së Korbit në lashtësi kanë qenë dy qytete të hershme në mbretërinë e parë Ilire. Maliqi ka qenë kënetë deri në vitin 1946 kur u tha me forca vullnetare nga gjithë Shqipëria. Pas bonifikimit kjo zonë u popullua nga banorë të krahinave përreth si dhe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë.

Pas bonifikimit nisi ndërtimi i Kombinatit të Sheqerit, një vepër madhore për ekonominë e Shqipërisë së kohës, një kombinat i cili ishte ndër më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin e Ballkanit deri në rënien e regjimit komunist. Nga mesi i viteve ’50 u vendos në punë kombinati i sheqerit që punësoi më shumë se gjysmën e popullsisë së asaj kohe, aty prodhohej edhe alkooli, vodka si dhe niseshteja.

img2

Më 1960 u bë rikonstruksioni i parë duke rritur aftësinë prodhuese të sheqerit 30%, atë të tharjes së bërsive 50% dhe të TEC 50%. Njëkohësisht u ngritën fabrika e alkoolit, ajo e majasë së bukës dhe e gazit karbonik ushqimor. Më 1967 Kombinatit të Sheqerit iu shtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës. Më 1979 u bë përsëri një rikonstruksion i fabrikës së sheqerit, duke rritur aftësinë përpunuese ditore 3,7 herë në krahasim me atë të vitin 1951.

Pjesë e tij ishte dhe TEC-i i cili furnizonte me energji qytetin dhe një pjesë të rrethinave përreth. Nga të gjitha këto tashmë funksionon vetëm prodhimi i niseshtesë kurse pjesa tjetër e tij që pas viteve ’90 e në vazhdim amortizohet nga viti në vit dhe ka dalë plotësisht jashtë përdorimit.

Sot në vendin ku ngrihej kombinati i sheqerit funksionon një fabrikë e prodhimit të lëndës së parë për ngrohjes siç është peleti. Ndërsa prej kohësh në Kuvend ka mbërritur një projektligj që synon rivënien në punë me një kapacitet më të madh të ish- TEC-it të Maliqit, duke shfrytëzuar tokën torfike, por që ka hasur në kundërshtinë e banorëve vendas.

Bashkia tashmë e madhe e Maliqit u formua në vitin 2015, pas reformës administrativo – territoriale, nga bashkimi i ish-njësive administrative të Gorës, Libonikut, Maliqit, Moglicës, Pirgut, Pojanit dhe Vreshtasit. Qendra e bashkisë është qyteti i Maliqit. Popullsia totale është 41.757 banorë ( censusi i vitit 2011), në një sipërfaqe prej 656.34 km2. Popullsia e ish-bashkisë së vogël, në regjistrimin e vitit 2011 ishte 4.290 banorë.

Pylli i përzierë i Maliqit ose siç njihet me emrin Pylli i Fazanëve, gjendet në fshatin Drithas i Poshtëm, pjesë e ish- komunës së Libonikut të rrethit të Korçës, sot pjesë e bashkisë së madhe të Maliqit, ai ndodhet 813.5 m mbi nivelin e detit. Ky pyll ka një sipërfaqe prej 46 hektarë dhe në vitin 1960 është shpallur monument natyror.

img3

Konsiderohet si pyll i përzierë gjysmë natyror, i përbërë prej plepit, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit. Është një mbetje e pyllit të dikurshëm që mbulonte pjesën veriore të moçalizuar dhe kënetëzuar të fushëgropës së Korçës. Drurët e këtij pylli janë mbi 60-vjeçarë. Lartësia maksimale e drurëve arrin në 22.7 m, diametri maksimal 80 cm. Sipas specialistëve ky pyll ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, didaktike dhe turistike. Për të shkuar në destinacion duhet të ndjekësh rrugën nga Liboniku në Drithas dhe që këtej tek pylli i Maliqit.

Ky pyll ka dhe një pamje mjaft piktoreske pasi në pjesën perëndimore të tij përshkohet nga lumi i Dunavecit, ndërsa gjatë pjesës veriore derdhet lumi i Devollit. Kjo hapësirë e pyllëzuar prej vitesh ndodhet nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura pranë Ministrisë së Mjedisit. Nga një investigim i terrenit dhe nga rrëfimi i banorëve mësohet se që prej rënies së regjimit komunist në këtë pyll që dikur ka qenë zonë mjaft e vizituar, ka ndodhur një prerje pa kriter e pyjeve.

img4

Ndërsa një fatkeqësi tjetër që ka ndodhur me të është largimi i të gjithë kafshëve të egra dhe shpendit simbol të tij, fazanit, pjesë e këtij habitati për dekada me radhë. Sorkadhet, kapronjtë, lepujt, ujqërit, dhelprat dhe shumë kafshë të tjera prej vitesh tashmë janë larguar nga ky habitat dhe së bashku me këto kafshë ka humbur edhe interesi i vizitorëve. Duke qenë një zonë malore dhe me një dimër të ashpër nevoja për dru zjarri ka bërë që edhe vetë banorët e zonës të jenë “armiqtë” më të mëdhenj të kësaj zonë turistike.

Fazani

Fazani në Shqipëri e ka origjinën shumë të lashtë, ose të paktën që prej kohës së Bushatllinjve.

img5

Në vitin 1956 u sollën nga Rumania rreth 500 krerë fazanë dhe u hodhën në Rrushkull, të shpallur po atë vit si Rezervat Gjuetie. Me fazanët e shtuar në Rushkull u populluan rezervatet e Fushë Kuqes, Maliqit, Divjakës, Pishë Poros ne Fier e Vlorë, etj. Në 1973, në Rezervatin e Fushë Kuqes filloi puna eksperimentale për rritjen e fazanëve me metodën gjysmë natyrore (çelja e vezëve dhe rritja e zogjve me pula shtëpiake), ndërsa në 1975 filloi rritja gjysmë industriale (çelja e vezëve me inkubatorë të posaçëm të importuar dhe rritja e zogjve në stalla). Mbështetur në këto arritje, u ngritën 7 fazaneri në të gjithë rezervatet e gjuetisë të bregdetit, si në Rrushkull (Durrës), Fushë Kuqe (Krujë), Vain (Lezhë), Kurorë (Fier), Pishë Poro (Vlorë), Pisha e Divjakës (Lushnjë) dhe Velipojë (Shkodër). Ecuria e prodhimit të fazanëve sipas viteve paraqitet më poshtë:

img6

Në vitin 1999 në Shqipëri numëroheshin vetëm 62 fazanë

Ndërsa fatkeqësia më e madhe që deri më sot askush nuk është vënë para përgjegjësisë është prerja masive e drurëve në këtë pyll, pas lejeve të shfrytëzimit që janë dhënë prej vitesh nga qeveri të ndryshme si të majta dhe të djathta.

Tentativa për një rivitalizim të zonës

Nga viti i kaluar duket se ka një tentativë të qeverisë shqiptare dhe të bashkisë së Maliqit për të ndaluar njëherë e mirë “masakrimin” e plotë të kësaj pike turistike.

Kryetari i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu shprehet se qeverisja lokale në këtë  zonë ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Mjedisit që ky territor të kalojnë nën administrimin e bashkisë fillimisht për një periudhë 10 vjeçare.

“Pylli i Fazanëve, pjesë territoriale e bashkisë së Maliqit është një nga zonat që prej vitesh është lënë jashtë vëmendjes së autoriteteve përgjegjëse duke shkaktuar një situatë aspak normale me prerjen e pyjeve dhe “zbimin” e kafshëve të egra. Kjo zonë gjithmonë ka qenë nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ndërsa nga viti i kaluar në kemi bërë një kërkesë që të kalojë nën administrimin e bashkisë së Maliqit. Vlen të theksohet se në bashkëpunim me qeverinë shqiptare prej vitit të shkuar ka nisur edhe një projekt për rivitalizimi e kësaj zonë. Fillimisht është bërë asfaltimi dhe ndriçimi i rrugës që të çon tek Pylli i Fazanëve. Ndërsa në kemi në plan që shumë shpejt të bëjmë edhe rrethimin e gjithë zonës”, tha Topçiu.

img7

Më tej kryebashkiaku u shpreh se ka nisur edhe një punë për rikthimin e shpendit simbol të këtij pylli, fazanit. “Plani dhe dëshira jonë është që këtë zonë ta kthejmë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe të turistëve. Me anën e mbarështimit të vezëve kemi nisur nga puna për shtimin e fazanëve, ndërsa në plan kemi edhe rikthimin e kaprollit. Ndërsa është bërë gati një draft marrëveshje për ndërtimin brenda ambienteve të tij të korsive të biçikletave, fushave të tenisit, hendbollit, volejbollit etj.

Kryebashkiaku i Maliqit, Topçiu e pranon se dora e njeriut ka shkaktuar shumë dëme në këtë zonë, por nuk është në gjendje të përgjigjet se kush janë shkaktarët e kësaj situate dhe a është vënë dikush para përgjegjësisë. “Sigurisht që jemi në dijeni të asaj se çfarë ka ndodhur në vite, por nuk di të them se kush janë shkaktarët, ndërsa derimë sot askush nuk është vënë para përgjegjësisë për këtë situatë”, tha ai.

Në lidhje me zëvendësimin e pemëve të prera apo atyre që janë dëmtuar nga vetë natyra Topçiu u shpreh se nga statusi që ka kjo zonë nuk e lejon mbjelljen e pemëve të reja.

Më kritik në lidhje me situatë e krijuar me pyjet në vendin tonë u shpreh ambientalisti Sazan Guri.

Ai tregon se edhe pylli i Fazanëve ashtu si gjithë pyjet shqiptare janë dhënë nga qeveria për shfrytëzim dhe prej vitesh pyjet tona janë shitur në Itali dhe Greqi.

img8

“Qeveria i është qepur pyllit me sharrë, ndërsa populli me sëpatë. Pylli ndikon jo vetëm në pastrimin e ajrit, por edhe në filtrimin e ujëra nëntokësore, prerja masive si në pyllin e Fazanëve apo në atë të Lekasit ka bërë që këto zona të kenë edhe probleme të mëdha me mjedisin”, u shpreh Sazan Guri.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s