Mungesa e zbatimit të ligjit sjell shkatërrim të mjedisit

Sonila Mesareja

Konstatimi/ Ekspertët mjedisorë: Mungon monitorimi, vlerësimi mjedisor, bashkëpunimi dhe buxheti

Kemi ligje të mira, por për fat të keq nuk ka zbatueshmëri sa dhe si duhet. Ky konstatim reflektohet në takime dhe tryeza të ndryshme nga shqiptarë dhe të huaj kur diskutohen problematika të hasura në vendin tonë për sektorë të ndryshëm. Një prej fushave ku ka në fakt ligje të mira, por jo zbatueshmëri sa duhet, është edhe mjedisi. Madje, kjo është theksuar edhe në progres-raportin e BE-së për vitin 2014, ku në një prej kapitujve zinin një vend të rëndësishëm edhe problemet e rënda në fushën e mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Sipas ndërkombëtarëve, në fushën e mjedisit nevojitet më shumë punë për harmonizimin e legjislacionit horizontal, sidomos me Direktivën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Direktivën mbi Krimin Mjedisor. Duhet të ketë një sistem më efektiv për ndjekjen dhe penalizimin e krimeve mjedisore. “Vlerësimet e ndikimit në mjedis nuk kryhen në çdo rast përpara fillimit të projekteve në infrastrukturë” thuhet në progres-raport, ndërkohë që të njëjtën gjë na konfirmoi edhe një përfaqësues i shoqërisë civile për mjedisin, Z.Xhemal Mato. Madje, ai shkoi më tej duke akuzuar deri për afera korruptive personat që japin vlerësime për ndikimet në mjedis të një projekti në infrastrukturë. “Vlerësimi mjedisor është një nga problemet që po sjell pasoja në mjedis. Dua të theksoj se është problem edhe fakti që nuk ka oponencë, pse jo, mund ta them me plot gojën që ka korrupsion në këto vlerësime mjedisore që po bëhen nga persona anonimë dhe që po shkatërrojnë mjedisin”. Ekspertët mjedisorë hedhin idenë e akreditimit të studiove që bëjnë këto matje, me qëllim që të mos ketë rezultate fiktive në favor të kompanive që paguajnë për ato rezultate.

Monitorimi dhe vetëmonitorimi, handikap në mjedis

Vlerësimi mjedisor nuk është problematika e vetme e konstatuar në fushën e mjedisit. Monitorimi i bizneseve që operojnë në vend është një tjetër shqetësim i ekspertëve mjedisorë, por edhe i vetë instancave shtetërore. “Për sa i përket ndotjes industriale dhe menaxhimit të riskut prej saj, ligji që transpozon direktivën europiane mbi kontrollin e rrezikut nga aksidentet e mëdha industriale (Direktiva “Seveso II”), nuk është aprovuar ende. Nuk ka kontrolle efektive për të pakësuar emetimin e ndotësve nga impiantet industriale. Vetë-monitorimi i industrisë rrallë mbikëqyret. Është në aprovim e sipër një draft-ligj kuadër mbi menaxhimin e kimikateve, i cili synon harmonizimin e akuisit europian dhe rregullimin e import-eksportit të kimikateve” thuhet në progres-raport, por pranohet edhe nga ekspertët mjedisorë dhe vetë institucionet që monitorojnë situatën në mjedis. Monitorimi është problemi më madhor në situatën mjedisore. Ashtu si ekspertët ndërkombëtarë në progres-raport, një konstatim i ngjashëm vjen edhe nga Mihallaq Qirjo, drejtor i REC për Shqipërinë, i cili më tej shprehet se ka mungesë të të dhënave të besueshme për bizneset që operojnë në vend dhe dëmet që ato i shkaktojnë mjedisit. “Kontrolli dhe monitorimi janë deficensat e dala në këtë sistem. Madje mund të them se ka korrupsion brenda sistemit të monitorimit. Gjithashtu, një tjetër problematikë është edhe moskuptimi i rolit të aktorëve të tjerë përveç organeve shtetërore” shprehet z.Qirjo. Ndërkohë që lidhur me problemet në monitorimin e këtyre kompanive në terren, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Arben Luzati shprehet se “mungesa e buxhetit sjell edhe mungesën e monitorimit”. Madje, specialistët e kontrolleve në mjedis, të Inspektoriatit Shtetëror në Ministrinë e Mjedisit apo dhe ata të agjensive rajonale, hedhin edhe idenë e vetëmonitorimit nga kompanitë. Sipas tyre, një kompani që ofron rezultate jo të besueshme, të cilat verifikohen nga matjet e bëra nga inspektoriatet, të penalizohet me gjobë jo vetëm për kohën kur kapet në shkelje, por për të gjitha vitet që ka ushtruar aktivitetin në vendin tonë. Një shembull të ngjashëm, sipas ekspertëve, e gjeje në vendet skandinave, konkretisht në Suedi. Fuqizimi i vetëmonitorimit dhe pasja e inspektorëve të përgatitur do sillte rezultatet në kontrollin mjedisor dhe marrjen e masave për të mos pasur shkatërrim të mjedisit.

Mungesa e buxhetit

Një buxhet i mirë dhe një ndërveprim instituicional do sillte një mjedis më të kontrolluar. Ky konstatim vjen nga ekspertë mjedisorë në institucionet shtetërore. Enis Tela, ekspert prej 12 vjetësh në Ministrinë e Mjedisit, por jo vetëm, por edhe pjesë e bërjes së ligjeve për mjedisin, shprehet se mungesa e një fondi shtesë në buxhetin për mjedisin sjell edhe pasoja pasi shpesh është e pamundur të bëhen monitorime apo matje, edhe pse konstatohen probleme në kompani të ndryshme. “I rëndësishëm është alookimi i fondit shtesë për mjedisin, pasi duhet të shtohen fondet mjedisore për të përballuar mjaft probleme që po i hasim tani” shprehet eskperti Tela, duke shtuar se ndonëse kanë konstatuar mjaft probleme një një kompani të madhe që ushtron aktivitetin në Fier, kanë pamundësi fondesh për të kryer matjet, duke i detyruar që ato t’i kryejnë më fond privat.

Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me OJF-të

“Duhet të forcohet bashkëpunimi me OJF-të” është një tjetër rekomandim që BE jep në progres-raport, por që pranohet edhe nga vetë ekspertët e mjedisit në institucionet shtetërore. Mungesa e fondeve apo dhe personelit e infrastrukturës sjell pamundësinë e mbulimit të gjithë vendit nga inspektorët mjedisorë. Një bashkëpunim më i fortë mes aktorëve shtetërorë dhe tyre që operojnë në shoqërinë civile do sillte evidentimin e mjaft problematikave të pakapura nga inspektorët e mjedisit dhe do sillte zgjidhjen e tyre. “Sistemi i inspektimit mjedisor është pjesërisht i harmonizuar me akuisin, burimet e pakta të tij nuk japin garanci të mjaftueshme se shkeljet monitorohen e dënohen siç duhet. Duhet të përmirësohet ndjeshëm planifikimi i inspektimeve, bashkëpunimi midis inspektorëve të mjedisit dhe autoriteteve të tjera mbikëqyrëse, i proçedurave të raportimit dhe i mekanizmit të vlerësimit të punës së inspektoriatit” thuhet në progres-raportin e vitit 2014 për mjedisin, duke shtuar se bashkëpunimi i gjithë aktorëve në zbatimin e ligjit në vendin tonë do të sillte edhe reduktim të problematikave.

Cilësia e ajrit, menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave

Pëllumb Abeshi: Zbatimi i ligjeve, duhet bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe vendore

Përmirësimi i cilësisë së ajrit, menaxhimi i mbetjeve e ujërave dhe zbatimi i ligjeve apo direktivave të BE-së konsiderohen si prioritet për Ministrinë e Mjedisit për vitet në vazhdim. Por, që të ketë zbatueshmëri të ligjeve, sipas drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, duhet të ketë bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe atyre vendore. Madje, z.Abeshi i akuzon këta të fundit si neglizhentë në zbatimin e ligjeve, sidomos ato për mbetjet urbane.

Cilat janë masat e marra nga Ministria e Mjedisit për përmirësimin e cilësisë së ajrit?

Lidhur me rekomandimet e BE në fushën e ajrit ju informojmë:

Strategjia kombëtare “Mbi cilësinë e ajrit të mjedisit në Shqipëri”, është tashmë një dokument që është miratuar me VKM  Nr. 594, datë 10.09.2014. Ai përcakton një sërë masash që duhen ndërmarrë në fushën e përmirësimit të cilësisë së ajrit, duke u mbështetur në problematikën e konstatuar dhe të monitoruar ndër vite. Në këtë aspekt, ky dokument adreson dhe programon masa dhe objektiva që duhen përmbushur ndër vite dhe që lidhen kryesisht me sektorin e transportit  dhe të industries, si dy sektorët që ndotin më shumë ajrin urban. Ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit” u miratua nga Këshilli i Ministrave me Vendim nr.316, date 28.05.2014 dhe është për diskutim në komisionet parlamentare. Së shpejti ai miratohet dhe në zbatim të tij janë hartuar edhe një sërë aktesh nënligjore siç janë VKM “Mbi vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit dhe kërkesat në lidhje me disa ndotës”, e hartuar ne zbatim të draft ligjit të ajrit. Ky akt do të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave sapo ligji të miratohet dhe të hyjë në fuqi. Lidhur me fragmentizimin e kompetencave të AKM-së dhe ISHP-së, mund të themi se nuk ka fragmentizim, por duhet kuptuar që nuk ka as monopolizim në çështjet e monitorimit të cilësisë së ajrit. Kështu, AKM ka në dispozicion të saj disa stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat janë vendosur në pika të caktuara në disa qytete. Ajo monitoron dhe i raporton këto të dhëna nëpërmjet raporteve vjetore. Po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik ka nën administrim disa stacione të monitorimit të cilësisë së ajrit urban në disa pika të tjera që janë pjesë e sistemit Kombëtar të monitorimit të cilësisë së ajrit. Raporti mbi cilësinë e ajrit është një i vetëm dhe bazohet në rezultatet e të gjitha stacioneve të monitorimit të administruara nga këto institucione. Lidhur me planet e cilësisë së ajrit në nivel vendor, ligji i ri i ajrit përcakton hartimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore. Gjatë vitit 2015 do të hartohet Plani Kombëtar i Veprimit të Cilësisë së ajrit, dhe mbi bazën e tij do të orientohen organet vendore për hartimin e planeve lokale të cilësisë së ajrit. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan të cilësisë së ajrit, e asistuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është duke e zbatuar atë.

A ka nisur planifikimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve? Çfarë po bëhet për menaxhimin e mbetjeve në rang vendi?

Ministria e Mjedisit, në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, ka si fusha te veprimtarisë së saj sa i takon mbetjeve si më poshtë:

  1. Të hartojë dhe propozojë përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor me direktivat e BE-së,
  2. të hartojë strategji dhe
  3. Plane veprimi për mbrojtjen dhe administrimin e Mjedisit.

Përparimi më i madh përsa i përket administrimit të mbetjeve deri tani është bërë në fushën e legjislacionit. Legjislacioni mbi administrimin e mbetjeve në Shqipëri ka përparuar me aprovimin e ligjeve të reja, vendime dhe rregullore/ udhëzime që pasqyrojnë: Qëllimet dhe afatet që parashikohen nga ligjet dhe strategjitë kombëtare janë ambicioze dhe janë në një linjë me kërkesat e BE-së. Një nga objektivat e rëndësishme të kuadrit ligjor dhe arsyeja kryesore e kësaj përqasjeje është krijimi i kushteve të përshtatshme për donatorët ndërkombëtarë (veçanërisht për fondet e BE-së) për të financuar infrastrukturat e nevojshme. Së fundmi janë miratuar:

Ligji Nr. 156/2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, i cili ndalon importimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj u hartua për t’i dhënë prioritet ricklimit të mbetjeve që gjenerohen në vend, si dhe për mungesë kapacitetesh në drejtim të një kontrolli sipas kërkesave të KE-së. Në zbatim te ligjit nr. 10463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve “janë hartuar dhe miratuar 11 akte nënligjore, në zbatim të direktivave të KE-së. Përmbushja e objektivave politike bëhet e mundur nëpërmjet nxitjes dhe thithjes së investimeve private në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Projektet që në gjykimin e ministrisë synojnë të realizojnë masat e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006  “Për koncesionet”, të ndryshuar. Në kushtet aktuale ky është opsioni më i mirë për të thithur investimet private, për të investuar në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Aktualisht janë në proces shqyrtimi dhe miratimi pesë projekte:

  1. Ndërtimi i landfillit per trajtimin e mbetjeve të Qarkut të Durrësit.
  2. Ngritja e një sistemi për kthimin e mbetjeve në ambalazhe dhe angazhimin e prodhuesve për nxitjen e sistemit të grumbullimit dhe riciklimit të tyre.
  3. Administrimi i mbetjeve vajore, portuale dhe atyre të hidrokarbureve.
  4. Ngritja e një sistemi për administrimin e mbetjeve elektrike dhe elektronike.
  5. Ndërtimi i një inceneritori për trajtimin e mbetjeve për Qarkun e Elbasanit

Një mekanizëm tjetër për përmbushjen e objektivave kombëtare është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Sa i takon fushës së mbetjeve janë në zbatim disa projekte të financuara nga donatorët ndërkombëtare si më poshtë:

  1. Projekti “Për përkrahje të minimizimit të mbeturinave dhe promovim të 3R në Republikën e Shqipërisë”, me financim të Qeverisë Japoneze, JICA, në të cilin do të përfshihen tre njësi vendore: Tirana, Lezha dhe Komuna Bushat.
  2. Studim fizibiliteti për ndërtimin e landfillit për Qarkun e Vlorës, financuar nga KfW.
  3. Po përfundon ndërtimi i landfillit për zonën Jugperëndimore ( nga Himara ne Konispol), financuar nga Banka Botërore.
  4. Së shpejti fillon ndërtimi i landfillit për Qarkun e Korçës, financuar nga KfK.

Menaxhimi i mbetjeve, përveç politikave, programeve dhe strategjive kërkon një angazhim më të madh në terren të drejtuesve vendorë për të administruar mbetjet sipas standedeve kombëtare. Ajo që vërehet në këtë situatë tregon se shumë njësi vendore janë neglizhente dhe nuk përmbushin kërkesat ligjore për menaxhimin e mbetjeve. Në bazë të ligjit nr. 8652 “ Per organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor’, citohet: menaxhimi i mbetjeve është funksion i bashkisë dhe komunës (neni 10) dhe që nga 1 Janari i vitit 2001 ato janë përgjegjëse për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Vihet re që ka një:

* Mungesë vizioni nga ana e pushtetit vendor për një menaxhim të integruar të mbetjeve.

* Mungesë kapacitetesh.

* Nuk zbatohet parimi “Ndotësi Paguan”.

Tarifa të ulëta për t’ju përgjigjur zbatimit të normave dhe standardeve të miratuara me akte ligjore dhe nënligjore. Ka akoma njësi vendore që tarifa e menaxhimit të mbetjeve varion nga 300 – 1000 lekë/ për familje në vit. Edhe kjo tarifë nuk mblidhet në shkallën e duhur ( 30 – 70 % ).

Riciklimi është mjeti kryesor i mbajtjes së vlerës së burimeve materiale në fund të jetës. Industria e riciklimit në Shqipëri është ende në fillimet e saj dhe ka nevojë për stimuj për ta aktivizuar atë dhe për ta kthyer në një sektor efektiv industrial.

Për të arritur objektivat që shtron Strategjia dhe Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve kërkohet :

* Zbatimi i sistemit të grumbullimit të mbetjeve urbane me tre kosha        ( mundësisht brenda vitit 2016 ).

* Ndarja e mbetjeve në burim për qelqin, letrën, plastikën dhe metalet deri në vitin 2018.

* Riciklimi i 25% të mbetjeve urbane deri në vitin 2015.

* Riciklimi i 55 % të mbetjeve urbane deri në vitin 2020.

* Riciklimi i 75 % te mbetjeve urbane deri në vitin 2025.

Konstatimi tjetër në progres-raport kishte të bënte me cilësinë e ujit dhe për menaxhimin e integruar të ujërave. Çfare po bëhet në këtë sektor? Kur pritet të vihen në funksionim impianet e ndërtuara dhe kur do përfundojnë dy të tjerët që janë në ndërtim?

Ministria e Mjedisit, si institucion qëndror është përgjegjës për politikat në menaxhimin e burimeve ujore dhe krijimin e një kuadri ligjor Kombëtar. Ajo që është bërë tashmë në fushën e ujërave ka të bëjë me miratimin e ligjit për menaxhimin e burimeve ujore, i cili është plotësisht i përafruar me diraktivën bazë të BE-së për ujërat si dhe me standardet ndërkombëtare. Në zbatim të tij janë hartuar dhe një sërë aktesh nënligjore që lidhen me zbatimin e ligjit. Sa i takon menaxhimit dhe hartimit të politikave në këtë fushë, Ministria në bash

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s