Diferencimi i mbetjeve

Laert Miraku

A dëshiron të jesh tani në këtë moment ‘trendy’, në modë, interesant, i ndjekur, me followers? A dëshiron të ndihesh pjesë e bisedave të kafeneve, thashethemeve, debateve parlamentare, analizave të thelluara të specialistëve, debateve me zhurmues politikanë dhe analistëve gjithologë? A dëshiron të jesh pjesë e mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale? A do të jesh simpatizant i qeverisë, mbështetës i opozitës apo përkrahës i shoqërisë civile? Ti biem shkurt. A do të biesh në sy, të jesh në maja, të flasësh çfarë të duash? Mjafton që të jesh në trendin e momentit. Atëherë fol për plehrat, mbetjet a quaji si të duash. Mjafton që fjala plehra dhe mbetje të përmendet nga ju dhe jeni shumë në rregull. Keni kapur kohën tuaj.

Në qoftë se do të vendosnim që çdo muaj që kalon të kishte një emër duke nënkuptuar ngjarjen më të madhe sigurisht muaji shtator do të quhej muaj i plehrave apo mbetjeve. Sigurisht ky e ka të merituar këtë emër. Madje ka marrë dhe vëmendjen e ditëve të para të tetorit. Dhe unë nuk kam se si shpëtoj pa qenë pjesë e kësaj turme. Të flas dhe unë për ‘plehrat’ që po na mbysin dhe mbetjet. Sigurisht që nuk kam ndër mend t’i futem debatit, a duhet importi i mbetjeve? Nga ky rrezikohet që të sillen në Shqipëri mbetje të rrezikshme. Këtë ta zgjidhin ata që unë përmend më sipër. Dua të merrem me ‘plehrat’ apo mbetjet që na zënë frymën çdo ditë, ato që sapo hapim derën e shtëpisë na përshëndesin, atyre që ua ndjejmë erën nga dritaret tona. Në fakt dua të merrem me masakrën që i bëhet lumenjve, vijës tonë bregdetare, pikave turistike etj. T’i biem shkurt dua që të merrem me ndotjen e mjedisit që na rrethon dhe na shoqëron përgjatë viteve tona mbi tokë.

Ndotja e mjedisit është një temë shumë e gjerë për një shkrim kaq të shkurtër. Ndaj jam i detyruar të kufizoj shkrimin tim vetëm në diferencimin e mbetjeve. Dua të flas për riciklimin e mbetjeve sepse kur flasim për këto nënkuptojmë gjithmonë për një lëndë të parë për të prodhuar një gjë tjetër. Këtu nuk do të flasim për mbeturina ku niveli ekonomik dhe ai riciklues është zero. Personalisht mendoj se na mbytën “mbeturinat”, këto 25 vitet e tranzicionit. Jo se në kohën e sistemit diktatorial nuk kishte por atëherë rrezikohej buka e përditshme, çdo gjë ishte me listë dhe racion, mungonte thuajse gjithçka dhe kishe shume pak mundësi të ndotje mjedisin. Kjo edhe për shkak se regjimi kishte masa më të forta shtrënguese dhe një sistem të tillë që ishte në mbrojtje të mjedisit.

Dua që ta nis me një direktivë të Bashkimit Evropian. Komuniteti dhe vendet anëtare të tij duan që në 2018 mbetjet tek të gjitha shtetet të ndahen në gjashtë rryma. Ambicia shumë e mirë sepse ndihmon shumë më tepër industritë e riciklimit. Pse kjo kërkesë? Po sigurisht sepse Europa nuk është SHBA ku mund të përdorim super robot për diferencimin e mbetjeve. Sigurisht nuk do ishte aspak keq se të tillë robot diferencojnë mbi 66 lloje mbetjesh. Por e para ata janë robot super të shtrenjtë dhe e dyta nuk kemi mundur akoma të jemi ‘Shtetet e Bashkuara të Europës’. Por BE ka një tjetër objektiv që është zero landfilling. Asnjë mbetje të mos hidhet në landfille por gjithçka të përpunohet. Gjermania, lokomotiva e europes, nuk mundej dot të diferenconte 20% të mbetjeve, ndaj ketë 20% ajo e thante dhe bënte qymyr të gjelbër. Sigurisht diçka tjetër e dobishme dhe një mjet tjetër energjie. Kjo është një situatë e përgjithshme për dy nga ëndrrat e kahershme të shqiptarëve; Europa dhe Amerika.

Ti kthehemi situatës në vend. Askush nuk ma mohon dot faktin që jemi në një situatë ku thërret ‘qameti’ si thotë populli. Jemi të mbytur nga mbeturinat sepse ato hidhen kudo pa sistem duke ndotur mjedisin. Edhe ato që janë pjesë e sistemit të pastrimit të qyteteve shkojnë në landfille që do të thotë me zero përfitim ekonomik. Por çfarë ka ndryshe tek ne që nuk veprojmë dot si qytetar evropian? Ka shumë e shumë faktor por unë dua që të përmend disa. Dua ta nis me ndërgjegjësimin që kemi ne për mjedisin. Me disa nga aktorët kryesor që mund të ndikojnë rreth problemit tonë. Si pjesë e fushatave të ndërgjegjësimit duhet të jetë sistemi ynë shkollor. Duke filluar që me edukimin për një mjedis më të pastër të parashkollorëve deri tek pasuniversitarët. Por shkollat tona lënë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim. Sistemi ynë arsimor nuk e ka të integruar edukatën për një mjedis të pastër. Nuk e sheh mjedisin si burim jete por si një subjekt lënde që trajtohet vetëm disa orë në vitin shkollor apo akademik. Nuk ka në shkolla tona metoda dhe strategji që u mësojnë nxënësve se sa i rëndësishëm është procesi i diferencimit dhe riciklimit të mbetjeve.

Faktor tjetër i rëndësishëm në ndërgjegjësimin e mjedisit është dhe shoqëria civile. Sigurisht është dilemë tjetër n.q.s kemi apo jo shoqëri civile. Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh se shoqëria civile ka vdekur dhe se duhet ta njoftonin ku e kish varrin ti dërgonte lule. Humor i zi, ja që në ketë ‘derexhe’ jemi katandisur si thotë populli. Shoqëria civile tek ne ekziston, sigurisht që është, por është e vogël diçka me moshe të re, pa shumë eksperienca. Ndaj reagimet e saj janë spontane dhe jo aq shumë goditëse. Arritja me e madhe e shoqërisë civile deri më sot ishte ndalimi i importit të armeve kimike që do silleshin në Shqipëri për tu shkatërruar. Kyveprim tregon se kemi përpara diçka të mirë, ndaj shpresojmë që shoqëria civile të bëj të njëjtën gjë për zgjidhjen e problemit të mbetjeve, sigurisht që ajo duhet të jap shembullin e para dhe të propozoj strategjitë për diferencimin e mbetjeve.

Media sigurisht nuk mund të jetë jashtë sistemit të ndërgjegjësimit për menaxhimin dhe diferencimin e mbetjeve. Sigurisht media bën detyrën e saj por nuk është akoma e inkuadruar që ta ketë një nga objektivat e saj themelor trajtimin e problemeve të mjedisit në përgjithësi dhe mbetjeve në veçanti. Media duket shumë aktive vetëm në situata shumë ekstreme. Në rastet kur mbeturinat bëhen male dhe mbajnë ‘erë’. Për këtë arsye mbetjet dhe menaxhimi i tyre duhet të shënohet në kolonat e prioriteteve tek të gjithë drejtuesit kryesor të mediave tradicionale dhe alternative.

Një faktor tjetër ndërgjegjësimi janë dhe rrjetet sociale. Efekti domino që këto rrjetë kanë për një lajm të fundit apo diçka me interes duhet që të shfrytëzohet nga liderit e këtyre rrjeteve për ndërgjegjësimin e mbetjeve. Nuk ka problem nëse kjo problematik mund të trajtohet me humor por e rëndësishme është mesazhi që duhet të përhapet në fund për menaxhimin e mbetjeve.

Faktorët se përse jemi këtu ku jemi me këto probleme emergjente janë të shumtë dhe kërkojnë shpesh dhe studime të thelluara. Por unë do përmend vetëm diçka nga fusha ime, ajo e komunikimit. Tranzicioni në fushën e informimit në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Ky tranzicion ka një sërë faktorësh: a) Informimin e mangët, ka mungesë informacioni sepse organet kompetente që paguhen për të bërë pune e tyre nuk e bëjnë, b) Informacion i politizuar, informacioni që ju jepet shqiptarëve shpesh është i politizuar dhe në shërbim të partive që e prodhojnë këtë informacion, c) Jo profesionalizëm, armata e analistëve ‘gjithologëve’ që flasin për gjithçka mbyt dhe zërin e profesionisteve të vërtet të fushës apo të personave kompetent që duhet të merren me menaxhimin e mbetjeve, d) Mungesa e të dhënave dhe e historisë në informacion, ka shumë pak e thuajse aspak informacion historik apo studime lidhur me menaxhimin e mbetjeve në vend, e) Mungesa e një pasqyre monitoruese e situatës, realisht nuk kemi diçka të monitoruar për këtë situatë, një pasqyrë të përgjithshme që ti paraqitet publikut se si është situata në vend. Publiku kërkon një informacion të saktë, profesional të pa anshëm dhe strategjitë e duhura për menaxhimin e mbetjeve. Por me sa kuptohet në shtator është pak e vështirë për t`ia dhënë.

Dikush nga lexuesit e mi do të më tërhiqte me të drejte vëmendjen duke më kujtuar se këto probleme zgjidhen me ligj. E drejte, nuk mundem që t`ia hedh poshtë. Po ka vërtet një ligj. Është ligji Nr.10 463, datë 22.9.2011 ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’. Ka 5 vite që është miratuar ky ligj. A mund të më thotë dikush nga ju që për këto 5 vite vendi ynë është më i pastër dhe a kemi përfituar ekonomikisht nga menaxhimi si duhet i mbetjeve? Vetë nga qeveria dhe nga grupet e interesit thuhet se menaxhohet vetëm 20%. Mendoj në fakt se jemi në situatë kritike. Por a zgjidhen vetëm me ligj këto probleme? Unë them që jo.

Zgjidhja e problemit do të ishte një fushatë e madhe kombëtare për menaxhimin e mbetjeve së paku një vjeçare. Një fushate në shkolla, në media, në rrjetet sociale, në grupet e interesit një fushatë e gjerë në popullsinë shqiptare. Një fushat ku të flasin profesionistet e fushës, aktorët pro menaxhimit të suksesshëm të mbetjeve në vend. Një fushatë ku të mbeten jashtë interesat politike. Duhet një fushatë ku të përfitoj Shqipëria dhe shqiptarët.

A mundemi për ketë? Sigurisht që po. Ndryshimi fillon nga unë dhe nga ti që po me lexon. Kur ne të dy mundemi gjithkush mundet.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s