Shqipëria përballë sfidës për të importuar mbetjet, mungojnë kapacitetet

Endrit Habilaj

Teksa javën e kaluar në parlament u votua ligji për importin e mbetjeve të riciklueshme, pikëpyetje të mëdha ngrihen nëse Shqipëria ka kapacitete e duhura për të kontrolluar këtë aktivitet. Kryeministri Edi Rama, gjatë një diskutimi me shoqatën e ricikluesve u shpreh se doganat tashmë janë më të sigurta se 3 vjet më parë, ndërkohë që është rindërtuar edhe një laborator që do të bëjë ekzaminimin e mbetjeve urbane.

“Është ulur poroziteti në dogana sipas raportit të KE-së. Mbetjet do të importohen nga 3 pika doganore, ndërsa fillimisht do të nisë nga Dogana e Durrësit. Kemi edhe një laborator modern tek AKM, ku stafi është i trajnuar nga Interpoli, Europoli etj”- u shpreh nga salla e kryeministrisë, Edi Rama.

Por në fakt, ekspertë mjedisorë shprehen se pikat doganore nuk kanë kapacitete për të dalluar mbetjet e riciklueshme me kodet përkatëse. Në një intervistë të dhënë, eksperti mjedisor Klodian Aliu shprehet madje se edhe skaneri i doganave identifikon lëndët radioaktive por jo ato të kontaminuara.

“Do të duhet më tepër se 1 vit që të krijohet nje laborator në dogana dhe të trajnohet stafi atje. Mendoj se ka një nxitim në ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme, pasi nuk ka ekspertizë të duhur në dogana”– shprehet Klodian Aliu.

Lidhur me laboratorin që ndodhet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, eksperti mjedisor thekson se ky laborator nuk ka aparatura dhe as kapacitete për të ekzaminuar kontaminimin nga mbetjet e riciklueshme.

“Ky laborator merret vetëm me analizën e ujit, por në asnjë rast të mbetjeve të riciklueshme. Nuk është bërë për këtë gjë, të gjithë ekspertët e dinë që ky laborator nuk ka aparaturat e duhura për këtë lloj aktiviteti.”– shton më tej eksperti Aliu.

Gjithashtu nëse u hedhim një sy të dhënave të publikuara për akreditimin e kësaj agjencie, kapacitetet e këtij institucioni nuk e tejkalojnë cilësinë për të kryer vetëm testet e ujit natyror apo atij të ndotur.

Ndërkohë lidhur me kapacitete njerëzore, ky laborator ka vetëm 9 punonjës të cilët do analizojnë mbi 50 mijë mbetje në muaj që pritet të vijnë sipas kërkesës së Shoqatës së Ricikluesve Shqiptarë.

Në fakt, kompanitë ricikluese kanë detyrimin ligjor për ta kryer vetë-kontrollin e shkarkimit të ujërave, qoftë përmes AKM-së, ose përmes marrëveshjeve me laboratore private, të njohura zyrtarisht nga shteti.

Por edhe në faqen zytare të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit sheh se asnjë nga laboratoret private nuk ofron analiza për ujërat që shkaktohen nga mbetjet e riciklueshme. Eksperti mjedisor, Klodian Aliu shprehet më tej se këto laboratore lëshojnë raporte fiktive ndaj kompanive të industrisë që kanë probleme me ujërat industrial.

“Në shumicën e rasteve, këto laboratore janë hapur nga vetë industria. Pra, si do të nxjerrë analiza të sakta kur shohim se ka një konflikt të hapur interesi.”- përfundon Klodian Aliu.

2014-2016 krijohen kompani të reja riciklimi            

Një numër kompanish të reja ricikluese të cilat gjenden në listën që ka në dispozicion kryeministri, kanë vetëm pak muaj që kanë hapur aktivitetin. (Ekskluzive/Shkarko listën e kompanive)

Miratimi në kuvendi i ligjit, të enjten e shkuar, ngre dyshime se këto kompani kanë patur dijeni në të shkuarën për këtë nismë të qeverisë.

Kompania “Tevi Plast”, është krijuar në 28 qershor 2016, pra dy ditë përpara se deputeti dhe propozuesi i këtij ligji, Eduard Shalsi të depozitonte në Kuvend projektligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme. Objekti i kësaj kompanie është importimi i plastikës.

Edhe pse ligji e ndalonte importin e mbetjeve, tre kompani të tjera u krijuan brenda 6-mujorit të parë të vitit 2014. Bëhet fjalë për “Restore Reduce Recycle Albania”, “LETER – PLAST IMERAJ” dhe “AME AMBIENT” ndërsa objekti i importit është plastik dhe letër.

Por ka edhe kompani të cilat e kanë ndryshuar objektin e aktivitetit, duke e përshtatur për import të mbetjeve të riciklueshme. E tillë është “Albplast”, që në fund të vitit 2014, në ekstraktin e saj publik ka shtuar edhe import-eksport të produkteve plastike.

“Queen Park” është një tjetër biznes që fillimisht e ka nisur me restorante dhe më pas ka ndryshuar object, duke u përshatur  për import të skrapit, letrës dhe të inerteve.

Ndërkohë kompania ricikluese “Ansa” kryen edhe shërbimin e agjentit doganor. Kjo pasi Administratori i saj ka në pronësi edhe një agjenci doganore. Kjo vë në dyshim “porozitetin” që kryeministri përmendi për doganat, pasi një lidhje e tillë mund të konsiderohet konflikt i hapur interesi.

Në listën e kompanive që kryeministri Rama ka në tryezë është edhe kompania turke KURUM. Edhe pse kjo ka shpallur falimentin, KURUM është larguar duke lënë pas një masiv mbetjesh të mbetjeve, ose më saktë skorrje të hekurit. Ndonëse ka patur detyrimin ligjor për riciklimi e tyre nuk ka bërë asgjë. Tani janë institucionet që kanë detyrimin ligjor për të menaxhuar situatën alarmante në Elbasan dhe që me siguri do të përdoren fondet publike për ta bërë një gjë të tillë…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s