Plazhet e Vlorës të ndotura nga mbetjet urbane

Avushe Zhuka

Raporti i Agjencisë së Mjedisit tregon se cilat janë plazhet që nuk duhet të frekuentohen për t’u larë në bregdetin e Vlorës duke kërkuar nga pushteti vendor që të marrë masa për përmirësimin e situatës. Krahas detit, Vlora vuan edhe nga ndotja e ajrit si dhe ajo akustike

Gjendja e mjedisit në zonën e Vlorës vazhdon të jetë problematike. Raporti “Monitorimi i gjendjes së mjedisit, viti 2014” i publikuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit e rendit bregdetin e Vlorës si një nga zonat me ndotjen më të lartë të plazheve. Shkak për këtë është bërë mostrajtimi i mbetjeve urbane të cilat shkarkohen në det. “Në zonën bregdetare shkarkimi i mbetjeve urbane nëpërmjet hidrovoreve ka sjellë ndotjen e ujërave të detit në zonat ku ata shkarkojnë. Shumë e rëndë paraqitet gjendja sidomos në zonën e Porto Romanos dhe në zonën e shkarkimit të hidrovorit në qytetin e Vlorës në pyllin e Sodës, ku kemi tregues të lartë të ndotjes organike e kimike. Si pasojë, ujërat bregdetare në këto zona nuk mund të përdoren për larje”, thuhet në raport. Përmbajtja e amonjakut është tregues direkt i ndotjes nga shkarkimet urbane të patrajtuara dhe monitorimet tregojnë se ka një përmbajtje shumë të lartë në stacionin e hidrovorit të Vlorës. Kjo situatë shpjegohet me faktin se në këtë stacion nuk bëhet përpunimi i ujërave urbane dhe situata paraqitet shumë e rënduar. Po kështu në hidrovorin e Vlorës rezulton se përmbajtja e fosforit total është në vlera mbi normën e lejuar. Vlerat e larta të përmbajtjes së fosforit janë pasojë direkte e shkarkimeve të lëngëta urbane të patrajtuara që përmbajnë tretësira detergjentësh me përmbajtje fosfori, ende në përdorim nga shumë përdorues familjar dhe industrial.

Katër nga plazhet e monitoruara në zonën e Vlorës rezultojnë të jenë të një cilësie shumë të keqe dhe frekuentimi i tyre nga banorët përbën rrezik serioz për shëndetin e tyre. Nga monitorimi i kryer në plazhet e Vlorës për vitin 2014 rezulton se 36 % të cilësisë së ujërave i përkasin kategorisë A, që tregon një cilësi shumë të mirë të ujërave.  Ndërkohë që 18 % i përkasin kategorisë B, (cilësi e mirë) dhe  9 % i përkasin kategorisë C (cilësi e mjaftueshme).  Raporti i ekspertëve të mjedisit vë në dukje se 36 % e plazheve i përkasin kategorisë D  ose thënë ndryshe  ata rezultojnë të jenë me cilësi shumë të keqe. Nga vendet ku janë marrë kampionet rezulton se plazhet e renditura në kategorinë shumë të keqe janë: Plazhi i Vjetër (Kampi i Pionerëve), Plazhi i Vjetër (Kabinat), Shkolla e Marinës si dhe Plazhi i Ri. AKM rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për plazhet e kategorisë D. Një nga rekomandimet është vendosja e tabelave informuese për publikun nga pushteti lokal dhe autoritetet shëndetësore me mbishkrimin “Vend i ndaluar për larje“ në ato plazhe ku cilësia e ujërave bregdetare për larje është e shumë e keqe.  “Mosmarrja e masave nga pushteti vendor lokal për disiplinimin e ujërave urbane në qytetin e Vlorës në zonën te Shkolla e Marinës dhe Plazhi i Ri ka sjellë probleme të ndotjes së konsiderueshme të ujërave të plazheve në këto zona me risk dhe impakt në shëndetin publik të plazhistëve. Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara. Muaji gusht, periudhë e cila lidhet me shtimin e numrit të plazhistëve dhe shtimin e aktivitetit të bizneseve turistike në bregdet karakterizohet nga një shtim i ngarkesës bakteriale për treguesit streptokoku fekal”, evidenton raporti i ekspertëve të mjedisit.

Për të shmangur këtë situatë në zonën e Vlorës por edhe në zona të tjera bregdetare rekomandohet vënia në funksionim me eficiencë të plotë të impianteve të trajtimit të ujërave urbane ekzistuese dhe ngritja e impianteve të tjera në zona të vogla banimi. Pushteti lokal duhet të marrë masa për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta urbane në plazhe. Sipas ekspertëve, marrja e këtyre masave do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë e ujërave bregdetare të larjes në Vlorë (zona Plazhi i Ri dhe Plazhi i Vjetër).

Krahas ndotjes së plazheve Qarku i Vlorës gjeneron edhe sasinë më të madhe të mbetjeve inerte. Të dhënat e raportit mjedisor tregojnë se sasia më e madhe e mbetjeve inerte të gjeneruara për vitin 2014 është në Qarkun e Vlorës i ndjekur nga Qarku i Tiranës dhe i Gjirokastrës. Sasia vjetore e mbetjeve inerte për Qarkun e Vlorës është 73 700 ton ndërsa në vend të dytë renditet Qarku i Tiranës me 43 784 ton. Krahasuar me të dhënat e raportit të vitit 2013 vihet re një ulje e sasisë së inerteve të gjeneruara. Në këtë periudhë në Qarkun e Vlorës rezulton se u gjeneruan  74 432 ton inerte. Sasia e lartë e inerteve shpjegohet me numrin e madh të popullsisë si dhe zhvillimin ekonomik (prioritar sektori i ndërtimit) në këtë qark. Gjenerimi i i mbetjeve urbane dhe trajtimi i tyre vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet Bashkia e qytetit të Vlorës. Burime nga kjo bashki bëjnë me dije se trajtimi i mbetjeve urbane ka një kosto të lartë për këtë qytet.

Qyteti i Vlorës rezulton të ketë nivel të lartë edhe sa i takon ndotjes akustike. “Në dy pikat e monitorimit të qytetit të Vlorës përballë Xhamisë dhe Hotel Bolonjës vërejmë se nivelet e zhurmave për ditën, për vitin 2014 janë më të ulëta krahasuar me vitin 2011, por krahasur me standardin e BE-së ato vazhdojnë të jenë të larta në të gjitha pikat e monitorimit. Gjithashtu vërejmë se për vitin 2014 pika e monitorimit te Uji i Ftohtë paraqet vlera të larta të nivelit të zhurmës për shkak se gjatë ditës bëheshin punime me makineri te rënda  (prishje ndërtesash dhe grumbullime të inerteve)”, thuhet në raportin për situatën e gjendjes së mjedisit. Po sipas të dhënave të raportit të AKM në qytetin e Vlorës është ulur niveli i ndotjes nga pluhuri e konkretisht nga (PM2.5). Raporti i vitit 2013 tregonte një tejkalim të normës prej 10 për qind të grimcave të pluhurit (PM 2.5) që është një përzierje e aerosoleve (të ngurta ose të lëngëta) që përfshin një diapazon të gjerë në madhësi dhe kompozime kimike. PM2.5 janë grimcat e pluhurit me diametër të barabarta dhe më të vogël se 2.5 mikron, ndryshe quhen dhe grimcat ultrafine. Ndërkohë raporti i vitit 2014 tregon se nga matjet e bëra në Vlorë nuk ka rezultuar të ketë tejkalim të normës të (PM2.5). Përsa i përket pluhurit PM10 që i referohet grimcave me diametër 10 nga monitorimi që i është bërë stacionit në Vlorë nuk ka rezultuar të ketë tejaklim të normave dhe vetëm 2 është numri i ditëve që tejkalon standardin ditor të BE-së. Grimcat e pluhurit mund të shkaktojnë dhe përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkrive. Këto grimca mund të dëmtojnë sistemin nervor qendror, sistemin riprodhues dhe mund të shkaktojnë sëmundje tumorale.

Gjendja e mjedisit në qytetin e Vlorës ka pësuar përmirësime në disa elementë ndërkohë që vihet re përkeqësimi i disa elementëve të tjerë. Mostrajtimi i mbetjeve urbane që derdhen në det, ndotja e ujërave të plazheve, sasia e lartë e inerteve të gjeneruara, menaxhimi i mbetjeve, ndotja akustike etj. vë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Përfaqësues të shoqërisë civile të qytetit të Vlorës thonë se është komuniteti ai që vuan pasojat e ndotjes së mjedisit ndërsa vënë theksin te nevoja për bashkërendim të aktorëve kryesor në hartimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit.  Përfaqësuesja e “Qendrës për kërkim, bashkëpunim dhe zhvillim”, Madlina Puka, duke folur për situatën e vështirë mjedisore me të cilën janë përballur qytetarët e Vlorës thotë se duhen vendosur standarde të shëndetit mjedisor. “Sot është e pranuar botërisht që të kesh kujdes parësor shëndetësor, ujë të pijshëm, ajër të pastër, ndërtesë e strehë të sigurtë, mjetet e mënyrat e duhura për menaxhimin e mbetjeve urbane etj., janë të drejta dhe jo privilegje për banorët e një qyteti.  Madje kur gjërat shkojnë keq popullata urbane është zakonisht e para që vuan. Individët, komunitetet, ndoshta edhe lagje të tëra apo gjithë qyteti vetë mund të paguajnë çmim të lartë për dështimet në furnizimin dhe shpërndarjen e shërbimeve komunale të infrastrukturës por edhe ato të shëndetit publik. Sjell në vëmendje së fundmi që Vlora kaloi një situatë të vështirë mjedisore të lidhur me çështjet e kanalizimeve në qytet e përmbytjen e qytetit nga shirat”, shprehet Puka.

Ajo shton se pushteti vendor duhet të marrë masa për të shtuar hapësirat e gjelbëruara si dhe për të përmirësuar trafikun në qytet. “Nga ana tjetër, të gjithë qytetarët janë dëshmitarë të mungesës së vazhdueshme të hapësirave të gjelbra, të cilësisë së dobët të ajrit të rënduar nga trafiku i pakontrolluar apo dhe rrugë në gjendje tepër të varfër mes blloqeve të banimit. Nëse do t’i shtojmë këtyre edhe problematikat e shkatuara direkt në shëndet apo aksesin e munguar nga shumë shtresa në nevojë të shërbimeve publike që Bashkia ofron, pamja e përfytyruar për qytetin duket jo e këndshme. Njohja e këtij realiteti nga vendimmarrësit dhe qytetarët është jetik dhe është pikënisja e njohjes së shëndetit mjedisor të qytetit të Vlorës.  Një gjendje e cila sikurse shëndeti personal duhet të vëzhgohet, diagnostikohet dhe trajtohet në përputhje me protokollet e miratuara dhe është një detyrë e rëndësishme krahas detyrës së zhvillimit urban që ka pushteti vendor”, përfundon përfaqësuesja e CRCD-së.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s