Një japonez kujdestar për Pelikanin Kaçurrel

Esiona Konomi

Reportazh

Si e shfarosi bonifikimi dhe telat e korrentit mbretin e Lagunës së Karavastasë

Nëse dikur të gjithë e njihnin Divjakën për plazhin e saj dhe lagunën, sot të gjithë padyshim e njohin për avionin e rrëzuar të drogës dhe të famshmin “Riforamto”. Pakkush nga ne e di se veç pyllit me pisha të buta, plazhit të gjerë ranor, jodit të detit dhe restoranteve të veçanta, në Lagunën e Karavastasë jeton dikush që është në kërkim ndërkombëtar.

Po, po. Një gjallesë e rrallë dhe në rrezik zhdukjeje jeton në dy ishuj të izoluar nga laguna. Pelikani  Kaçurrel jeton vetëm në këtë lagunë dhe për këtë arsye ngjall një interes të lartë të të gjithë specialistëve të fushës, sikundër dhe interesin e kujtdo që i dëgjon emrin. Po pse e ka marrë këtë emër? Thuhet se quhet Pelikani Kaçurrel dhe kjo për shkak të një tufe puplash që mban në kokën e tij dhe që e bëjnë interesant në dukje, si një zog i inatosur.

Të gjitha janë kureshtarë për kaçurrelat e tij, por sigurisht edhe për historinë e tij. Hyrja në park të duket si një kërkim ndaj asgjëje. Pak njerëz, veç kujdestarëve të parkut e ndonjë fotografi pasionant për bimësinë ujore dhe gjallesat e pakta të lagunës në këtë fillim vjeshte. Bimësi e ulët, barishtore e ndokund shkurre. Shumica e vizitorëve të parkut, nuk e dinë se çfarë i pret dhe se çfarë do të zbulojnë. E kanë vizitën e parë në këtë park që s’ngjan me të tjerët. Shoqëruesi i grupit, një prej rojeve të parkut, preferon të flasë me nostalgji, më shumë se sa me krenari për pasurinë e Lagunës së Karavastasë.

“Në Lagunën e Karavastasë banonte një herë një shpend i rrallë për të gjithë zonën e Mesdheut, i certifikuar me emrin Pelikani Kaçurrel, i cili konsiderohej “mbreti” i lagunës. Flasim me gjuhën e së shkuarës dhe themi “ishte” se epoka e mbretërimit të tij ka përfunduar dhe shpendi, fama e të cilit i kishte kaluar kufijtë e vendit tonë, tashmë është drejt zhdukjes totale dhe numërohet me gishta. Dora njerëzore është treguar e pamëshirshme me këtë shpend të rrallë,” – thotë ai teksa vendos mbi kapele syzet e diellit.

Vizitorët vendas janë të rrallë, e thuajse asnjë nuk e ka ditur më parë se aty jeton një shpend i rrezikuar të zhduket, me interes kaq të lartë për specialistët e biodiveristetit. Edhe ky është një rast ku përsëri ne do të duhet të falënderojmë të huajt që vijnë te ne dhe që i bëjnë punët më mirë sesa ne për natyrën tonë. Matanë, mbi një kodrinë ku qëndron dylbia e vrojtimit, shohim një tjetër grup, sigurisht jo shqiptarë. Me kombësi të ndryshme, kryesisht nordikë. Po bëjnë gjithçka për të fokusuar në kamerat e tyre pamjet e largëta të Pelikanit Kaçurrel që e ka ngritur mbretërinë e tij në një copë tokë mes ujit, ku njeriut, për fat të mirë i është ndaluar të shkojë më këmbë.

Ashtu bëjnë dhe ne. Afrojmë sytë në optikën e dylbisë, fokusohemi dhe ja ku është: familja e tij, si të persekutuar krenarë. Luajnë me njëri-tjetrin e kush e kush turfullon kaçurrelat e tij prej puple. Teksa të gjithë kërkojmë me shpejtësi radhën te dylbia, dikush na tërheq vëmendjen. Janë dy zonja që me mirësjellje na prezantojnë programin e rehabilitimit të parkut – ose rindërtimin e shtëpisë së pelikanit – siç u pëlqen ta quajnë.

Fondi Botëror për Natyrën dhe Instituti i Ruajtjes së Natyrës në Shqipëri, kanë ndërmarrë në asistencë të Ministrisë së Mjedisit një nismë për shpëtimin e mbretit të lagunës. Ky bashkëpunim ka sjellë në Divjakë një qytetar të një kontinenti të largët. Ai vjen nga Japonia dhe së bashku me familjen e tij është zhvendosur në Divjakë për të mbrojtur Pelikanin Kaçurrel. Yoshin është pasionant dhe bën çmos të na e sqarojë motivin e jetës së tij.

“ ‘Pelikani Kaçurrel’ është një nga banorët autoktonë të lagunës. Ai rritet dhe zhvillohet vetëm në këtë lagunë dhe nuk shtegton. Është një shpend grabitqar gjigant, me peshë rreth 16 kg, lloj i veçantë në gjithë Mesdheun. Pelikani Kaçurrel ka ngjyrë të bardhë dhe disa pupla gri. Në sqetull ai ka disa nuanca ngjyrash. Ushqehet me peshq, ngjala e gjallesa të tjera të detit, çka nxiti armiqësinë e njerëzve ndaj tij. Mishi nuk i konsumohet nga njerëzit, por ai u shfaros për shkak të mënyrës së ushqyerjes,” tregon Saito Yoshin.

Teksa u “rri në kokë” vizitorëve të lagunës dhe i ndihmon që përmes një teleskopi të shohin pelikanët të grumbulluar në një ishull të largët, biologu japonez tregon me pasion e përkushtim se Pelikani shumohet me vezë. Femra ngroh dhe çel vetëm 2 vezë. Pra, shumimi natyral i tij është delikat. Femra i depoziton vezët në kënetë, në gëmusha. Drejtori i Parkut të Divjakës, tregon se përpara shumë vjetësh, numri i pelikanëve në lagunë arrinte 500.

Bonifikimi dhe instalimi i rrjetit të tensionit të lartë ishin fatale për mbretin e lagunës. “Dhjetëra krerë pelikanë të mëdhenj u shfarosën nga tensioni, pasi gjatë fluturimit binin në rrjetin e tensionit të energjisë elektrike,” – tregon Bici, drejtor i Parkut. Një faktor tjetër i shfarosjes së tij ishte dhe dëmtimi i vezëve prej njerëzve. “Shpesh banorët e zonës, por edhe gjuetarët e ndryshëm (të cilët nuk e dinin rëndësinë e kësaj specieje) duke ecur nëpër lagunë, prishnin foletë e pelikanëve, i merrnin vezët dhe i thyenin. Kjo solli shfarosjen e tyre në vite, as sa sot mund të numërohen me gishta, ” – shprehet Bici.

Një ndër synimet e Fondit është rehabilitimi i Ishullit të Pelikanit, si një zonë e mbrojtur dhe e çmuar. A thua të jetë vërtetë një ishull? Po, po. Tamam një ishull. Një ishull ku në vend të njerëzve kanë ngritur shtëpinë e tyre pelikanët. Ishulli i Pelikanit ndodhet në Lagunën e Divjakës, me lartësi rreth 0.5 metra mbi nivelin e detit. Është një ishull mjaft interesant i krijuar nga akumulimet e mbetjeve organike, me të cilat është krijuar një ekosistem, dhe ku dallohet një botë shumë e pasur barishtore. Aty ku folenizon Pelikani Kaçurrel, aty ku ka ngritur mbretërinë e tij dhe që vet ai konsiderohet mbret i lagunës. Mbijetesa e këtij shpendi të rrallë kërcënohet çdo ditë nga njerëz të cilët nuk ja dinë vlerën.

Odeta Stavri nga Fondi Botëror për Natyrën, shpjegon se këto specie natyrore të rralla thithin vizitorë të ndryshëm dhe të shumtë ne vendin tonë. “Dhjetëra biologë dhe turistë të huaj mbërrijnë vazhdimisht në Divjakë, pikërisht për të parë këtë shpend të rrallë. Ata shfaqin interes të veçantë për të dhe i lejojnë vetes udhëtime të gjata prej së largu, pse jo dhe të shtrenjta, për të parë pikërisht këtë shpend, Pelikanin Kaçurrel që është drejt zhdukjes,”shpjegon Stavri.  Pelikani Kaçurrel është një bukuri e veçantë dhe duhet që njerëzit e zonës të bashkëpunojnë me institucionet për mbrojtjen dhe zhvillimin e llojit të tij.

Do të ishte e tepërt në fakt, ta kërkonim fajin te banorët e zonës. Ata, sikundër dhe shqiptarët e tjerë, nga padija apo mbase dhe nga neglizhenca, nuk janë kujdesur për to, ose në rastin më të keq, i kanë vrarë ose i kanë dëmtuar. Shteti dhe strukturat e tij për zonat e mbrojtura, padyshim duhet të kishin bërë më shumë për këtë drejtim. Zonat e mbrojtura përbëjnë 16 % të territorit të Shqipërisë dhe janë pjesë e çmuar e trashëgimisë natyrore për vlerat unike të biodiversitetit.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s