Mbetjet spitalore, subjektet pa leje në Vlorë ju shpëtojnë gjobave

Avushe Zhuka

Çdo muaj në Vlorë gjenerohen rreth 3 mijë kg mbetje. Shumë prej subjekteve shëndetësore nuk kanë lidhur kontrata për trajtimin e mbetjeve, ndërsa nuk deklarojnë as sasitë që nxjerrin nga aktiviteti i tyre. Inspektoriati i Mjedisit: Nuk kemi marrë masa pasi subjektet kanë qenë të painformuara. Ja çfarë ndodh me trajtimin e mbetjeve spitalore në Vlorë që nga institucionet publike e deri te ato private

Sasia totale e mbetjeve të rrezikshme spitalore që gjenerohen nga subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore në qytetin e Vlorës nuk ka arritur ende të vlerësohet dhe matet me saktësi. Shkak për këtë është fakti se vetëm një pjesë e subjekteve kanë lidhur kontratë me firmën e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, si dhe në një pjesë prej tyre ka neglizhencë në regjistrimin e sasisë së prodhuar e trajtuar të mbetjeve nga këto subjekte. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave (ISHMPU) bën me dije se janë rreth 3 mijë kg mbetje spitalore që gjenerohen në muaj nga subjektet shëndetësore në Vlorë. Kjo shifër është përllogaritur me afërsi duke iu referuar të dhënave të deklaruara nga vetë subjektet. Në të nuk reflektohet sasia e gjeneruar e mbetjeve spitalore nga subjektet që nuk e kanë nënshkruar kontratën.

Situata e administrimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, por mbetet ende punë për të bërë. Pjesa më e madhe e subjekteve shëndetësore kanë lidhur kontrata me firmën e trajtimit të mbetjeve ndërkohë që nuk dihet se ku përfundojnë mbetjet që gjenerojnë subjektet që nuk kanë pranuar të kontraktojnë  kompani të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Një tjetër problem është regjistrimi fiktiv i sasive të mbetjeve spitalore nga disa subjekte private të cilat për aktivitetin që ushtrojnë gjenerojnë shumë pak mbetje.

Kjo është situata e subjekteve shëndetësore në qytetin e Vlorës ndërkohë që për ambulancat e vogla në fshatrat e largët nuk bëhet fjalë për administrim të mbetjeve spitalore. Ato pajisje që përdoren e më pas kthehen në mbetje të rrezikshme, si: aget, shiringat, serumet e fashat mblidhen nga infermierja për t’u djegur më pas diku në ambient të hapur. Pavarësisht shtimit të kontrolleve dhe punës që bëjnë vetë subjektet, situata e administrimit të mbetjeve spitalore në Vlorë nxjerr në dukje edhe mungesën e koordinimit midis institucioneve. Krijimi i drejtorive të reja si dhe ndarja e veprimtarisë së një institucioni në dy ka sjellë disa vonesa dhe moskuptime midis tyre. Vetë drejtuesit e institucioneve thonë se ka një mbivendosje kompetencash dhe moskoordinim të punëve.

Në procesin e administrimit të mbetjeve spitalore përveç matjes së tyre shqetësim mbetet magazinimi në ambiente aspak të përshtatshme. Mbetjet spitalore vendosen në depo në kushte të papërshtatshme duke rrezikuar kështu përhapjen e infeksioneve. Depot nëpër pavijonë janë tepër të vogla, jo hermetike dhe shumë pranë dhomave të pacientëve. Duhet treguar tepër kujdes për të administruar largimin e tyre drejt magazinës qendrore me qëllim mos përhapjen e rrezikut të infeksioneve. Veç këtij fakti në këto ambiente nuk vendoset as shenjat e rrezikut për qytetarët në mënyrë që të mos afrohen pranë tyre. Në këtë pikë të gjitha institucionet përgjegjëse bien dakort duke pranuar faktin se ambientet ku ruhen mbetjet spitalore nuk janë të përshtatshme. “Duhen gjetur hapësira më të përshtatshme, me kushte hermetike dhe të pajisura me të gjitha mjetet si frigoriferë dhe koshat e etiketuar për ndarjen e mbetjeve”, deklaron inspektorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Ani Muçaj.

Një shqetësim tjetër është edhe vonesa në tërheqjen e mbetjeve nga firma e kontraktuar. Ky problem është ngritur nga vetë subjektet të cilat shprehen se shpesh herë ka vonesa në tërheqjen e mbetjeve. Shefi i higjienës pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit, Hasan Cufaj thotë se ky institucion monitoron mënyrën sesi i trajtojnë mbetjet spitalore, spitalet, qendrat shëndetësore dhe ambulancat. “Nga monitorimet që ne kemi bërë rezulton se spitalet dhe qendrat shëndetësore janë pajisur me rregullore të brendshme. Probleme ka me tërheqjen e mbetjeve si dhe me vendet ku magazinohen këto mbetje”, pohon Cufaj.

Subjektet që figurojnë të jenë më të rregullta lidhur me procesin e administrimit të mbetjeve spitalore janë Spitali rajonal Vlorë dhe spitali psikiatrik “Ali Mihali”, po kështu edhe disa nga qendrat shëndetësore. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit gjatë inspektimeve të kryera në dy spitalet e Vlorës ka konstatuar se realizohet ndarja e diferencuar e mbetjeve spitalore pavarësisht se duhen më shumë hapësira të dedikuara dhe se kutitë janë të etiketuara në mënyrë të rregullt. Inspektori i i këtij institucioni Elvis Binaj thotë se nga inspektimet e kryera rezulton se në çdo pavijon është afishuar rregullorja e brendshme për mbetjet spitalore.

Vetëm 6 leje mjedisore për kryerje aktiviteti shëndetësor janë dhënë për rrethin e Vlorës. Të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Vlorë flasin për mungesë ndërgjegjësimi nga ana e subjekteve shëndetësore. Spitali rajonal i Vlorës është i pajisur me leje mjedisore ndërkohë që spitali psikiatrik “Ali Mihali” është në proces për marrjen e lejes. Po kështu mësohet se edhe Poliklinika qendore e Vlorës është në proces aplikimi për leje. Nga 11 qendra shëndetësore shtetërore asnjë nuk rezulton të jetë me leje mjedisore, ndërsa 3 klinika mjekësore private janë të pajisura me të. Gjithashtu, nga 8 laboratorë mjekësor që ushtrojnë aktivitetin në këtë qytet vetëm 1 prej tyre ka marrë leje ndërkohë që asnjë nga depot farmaceutike nuk ka leje. Po kështu nga 44 klinika dentare vetëm një është pajisur me leje mjedisore. Sipas ligjit, klinikat dentare duhet të pajisen me leje mjedisore vetëm në rastet kur kanë tre apo më shumë poltrona.

Në Spitalin Psikiatrik bëhet ndarja e mbetjeve te rrezikshme në qelq, plastikë dhe mbetje të mprehta. Gjatë një vëzhgimi në këtë spital vihet re se koshat janë me etiketat përkatëse. Ndarja e mbetjeve bëhet në mënyrë të rregullt. Kryeinfermierja, Rozana Halili shpjegon se ky spital gjeneron rreth 90 kilogram mbetje në muaj. Por kjo sasi ndryshon nga muaji në muaj në varësi të aktivitetit që ka spitali.  Gjatë ditës koshat me mbetjet e ndara qëndrojnë në ambientet e pavijoneve ndërsa më pas dërgohen në depo. Si vend magazinimi është përshtatur një ambient i shkëputur i cili më parë ka funksionuar si morg. “Furnizimi me pajisjet e nevojshme bëhet nga firma e kontraktuar”, thotë kryeinfermierja.  “Spitali Psikiatrik së fundmi ka nënshkruar kontratë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Procedurat e ndarjes së mbetjeve në burim, amballazhimi dhe magazinimi bëhet sipas rregullores. Kryeinfermierja e përgjithshme bën dorëzimin te firma e kontraktuar e cila e bën tërheqjen e tyre 2 herë në muaj. Çdo pavijon ka rregullore të brendshme, e hartuar në bazë të rregulloreve nga drejtoria e spitalit”, sqarojnë përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor (IShSh) pas kontrollit të ushtruar në këtë spital.

Inspektori i ISHPMU, Elvis Binaj deklaron se nga kontrollet e ushtruara para pak kohësh në Spitalin Psikiatrik është konstatuar mungesa e regjistrit të mbetjeve në disa pavijone. Fakt ky që kundërshtohet nga kryeinfermierja e këtij spitali Rozana Halilaj, e cila thotë se çdo pavijon regjistron sasinë e mbetjeve që gjeneron. Edhe gjatë kontrolleve të ushtruara në klinikat private dhe dentare është konstatuar se nuk ka pasur regjistra. Këtyre subjekteve u është lënë detyrë që në inspektimin e ardhshëm të jenë të pajisur me regjistra ku të përllogaritet gjenerimi i mbetjeve.

Nga inspektimi që IShSh ka kryer në spitalin rajonal dhe poliklinikën qendrore rezulton se në të gjitha pavijonet: kirurgji, patologji, pediatri, ORL, maternitet, reparti i obstetrikës, urgjencë, laborator, ndarja e mbetjeve bëhet që në burim nga personeli përgjegjës në bazë të rregullores dhe rrezikshmërisë së tyre. Në çdo pavijon ka një rregullore të brendshme dhe janë ngarkuar personat përgjegjës për administrimin e mbetjeve. Të gjitha mbetjet anatomo-patologjike pas çdo ndërhyrje ambalazhohen, etiketohen, regjistrohen nga kryeinfermieri i sallës dhe transportohen në magazinën qendrore të mbetjeve ku vendosen në frigorifer të posaçëm, të sjellë nga firma e kontraktuar. Përgjegjësi për magazinimin dhe dorëzimin e mbetjeve spitalore si dhe tërheqjen nga firma e kontraktuar është kryeinfermierja e përgjithshme e spitalit e cila mban një regjistër të veçantë për grumbullimin dhe magazinimin e tyre. Tërheqja e mbetjeve spitalore bëhet në varësi të sasisë së mbetjeve të grumbulluara në magazinë çdo 10 ditë ose edhe 2 herë në muaj nga firma me të cilën spitali ka nënshkruar kontratën.

Nga një vëzhgim i bërë në pavijonet e Spitalit të Vlorës rezulton se bëhet ndarja e mbetjeve që në burim dhe situata është përmirësuar. Por Inspektoriati i Mjedisit bën të ditur se pak kohë më parë pranë kazanëve publikë në ambientet e jashtme të spitalit janë gjetur mbetje spitalore. “Pasi ua bëmë prezent këtë problematikë nga ana e spitalit u morën masa”, shprehet Binaj. IShSh ka konstatuar gjatë inspektimeve se Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik e cila zotëron laboratorin bakterologjik, laboratorin fiziko-kimik dhe shërbimin stomatologjik pranë Poliklinikës Qendrore është në procedurë për lidhje kontrate me firmën. Aktualisht laboratori bakterologjik ka autoklavë.

Pesë qendrat shëndetësore të qytetit të Vlorës kanë rinovuar kontratat për trajtimin e mbetjeve për vitin 2015. Të gjitha këto qendra kanë rregullore të brendshme dhe bëhet ndarja korrekte e mbetjeve. Kutitë e mbetjeve etiketohen sipas shkallës së rrëzikshmërisë ku mbahet një regjistër i veçantë për llojin e mbetjeve dhe sasinë e tyre në kg. Edhe laboratorët bio-kimikë, bakterologjikë në qytetin e Vlorës kanë kontratë për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Shtatë laboratorë kanë kontrata, ndërsa një laborator bio-kimik është në procedurë për rinovimin e kontratës. Ndarja e mbetjeve bëhet e rregullt amballazhohen, etiketohen dhe mbahet një rregjistër deri në momentin e tërheqjes nga firma dy herë në muaj.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor vazhdon të ushtrojë aktualisht kontroll në klinikat dentare të qytetit të Vlorës. Sipas inspektores së IShSh-së, Ani Muçaj, 39 klinika kanë lidhur kontratë gjatë kësaj periudhe. Nga 53 klinika dentare vetëm 6 klinika nuk kanë lidhur kontratë me firmën për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Arsyeja se pse këto klinika nuk pranojnë të nënshkruajnë kontratë është mungesa e një ambienti ku të magazinohen mbetjet. “Janë kundër mbajtjes së koagolave të gjakut, dhëmbëve etj. pasi rreziku për t’u infektuar prej tyre është i madh. Ato deklarojnë se nuk kanë një vend të përshtatshëm ku t’i mbajnë këto mbetje pasi firma bën tërheqjen e tyre vetëm një herë në javë. Kjo situatë duhet të zgjidhet”, shprehet Muçaj. Ajo shton se kushtet e negocimit të subjekteve me firmën nuk janë të mira. Në Vlorë ushtrojnë aktivitetin e menaxhimit të mbetjeve spitalore 2 kompani.

Po sa subjekte që shkelin ligjin për mbetjet spitalore janë gjobitur në Vlorë? Nga Inspektoriati i Mjedisit (ISHMPU) mësohet se nuk është marrë asnjë masë për subjektet ku janë konstatuar problematika lidhur me proceset e menaxhimit të mbetjeve spitalore. “Është ushtruar kontroll në pjesën më të madhe të subjekteve që gjenerojnë mbetje spitalore. Është parë nëse janë të pajisur me leje mjedisore dhe nëse kanë lidhur kontratë me kompani private që mundëson trajtimin e mbetjeve spitalore. Deri tani nuk kemi marrë asnjë masë administrative për shkak se kemi konstatuar se këto subjekte kanë qenë totalisht të painformuara. Janë lënë detyra për secilin subjekt që ka rezultuar me probleme dhe janë këshilluar që të zbatojnë ligjin dhe rregulloren për mbetjet spitalore”, shprehet Binaj.

Edhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore ndaj subjekteve shëndetësore në Vlorë. Sipas këtij institucioni, situata është përmirësuar ndjeshëm pasi subjektet janë ndërgjegjësuar dhe kanë rinovuar apo lidhur kontrata me kompanitë e kontraktuara për tërheqjen e mbetjeve spitalore. “Edhe kur janë hasur problematika subjektet janë këshilluar që të lidhin kontrata apo të përmirësojnë punën e tyre. U kemi lënë detyra dhe në inspektimin  e ardhshëm do të shohim nëse janë marrë masa apo jo”, pohon kryeinspektori Ilirjan Muço.

Gjobat për subjektet që janë të pajisura me leje mjedisore të “Kategorisë B” janë në vlerën 2 milion lekë. Bëhet fjalë për ato subjekte që kanë sasi të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme spitalore dhe në rastin konkret pjesa më e madhe e tyre janë subjekte shtetërore. Përqasja e deritanishme me inspektime të herëpashershme dhe monitorim të tyre pa vendosur gjoba ka qenë një formë ndërgjegjësimi që duket se ka dhënë rezultate. Mbetet për t’u parë nëse inspektoriatet do të tregohen po kaq tolerante me subjektet që nuk zbatojnë ligjin në kontrollet që do të ushtrohen në të ardhmen.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s