Lumi Shkumbin po degradon nga ndotja, por të rinjtë bëhen së bashku për ta shpëtuar!

Arlis Alikaj

Të gjitha mbeturinat e Qarkut Elbasan depozitohen sot në lumin Shkumbin. Ne vëzhguam një pjesë të tij, atë që e përshkruan situatën si më problematike, qytetin e Librazhdit. Aty situata përshkruhet si alarmante duke e kthyer Librazhdin në zemrën e hedhjes së mbeturinave pa kriter nga banorë të ndryshëm. Në rrjedhën e këtij lumi, gjen plehra nga më të ndryshmet që nga ato më të rëndat dhe me rrezik për popullatën siç janë mbetjet spitalore e deri te mbetjet industriale të hedhura nga makineri të ndryshme gjatë natës në këtë lumë. Mbeturinat kanë mbuluar brigjet e lumit duke krijuar një vatër infeksionesh për banorët sidomos për fëmijët që luajnë pranë tij. Kjo vë në rrezik shëndetin e tyre por edhe mjedisin i cili, dita-ditës po degjeneron. Lumi Shkumbin po degradon nga ndotja. Kudo shihen plehrat e hedhura nga kamionët transportues, por edhe nga vetë qytetarët. Anash lumit ka edhe mbetje inerte. Lumi në Librazhd është lënë në mëshirë të fatit nga autoritetet që duhet të kujdesen për pastërtinë e tij, duke bërë që të ndodhet në fazën më kritike të ndotjes. Ai është kthyer në një vend grumbullimi i mbetjeve inerte, nga biznese të ndryshme private që natën derdhin mbeturinat pranë tij si dhe nga restorante që nuk kanë kanale të mirëfillta ujërash të zeza.

Por një grup të rinjsh, dashamirës dhe mbrojtës fanatikë të natyrës shqiptare kanë nisur një fushatë për të shpëtuar këtë lumë. Mes tyre janë aktivistë dhe studentë të inxhinierisë së mjedisit të përfaqësuar nga Arlis Alikaj.

Ata kanë inspektuar në terren Shkumbinin duke bërë analiza e duke folur me ekspertë mjedisorë, të cilët i kanë siguruar të rinjtë se nëse situata do të vazhdojë kështu, Shkumbinit i ka mbetur edhe pak kohë, deri në kthimin e tij në një burim të vërtetë infeksionesh.

“ Ky lumë ka një mijë e një probleme që nga argjinaturat e deri tek mirëmbajtja. Ndaj ne po aktivizohemi vullnetarisht, po mundohemi të nxisim një kulturë ndërgjegjësimi dhe përkujdesje që të vazhdojë ndër breza. Po bëjmë takime me komunitetin në Librazhd, me shkollat si dhe po mbajmë marrëdhënie shkresore me bashkinë. Kemi nevojë për ndihmën e medias dhe bërjen publike të situates për t’i dhënë zë kauzës sonë, për të kapërcyer burokracitë e ta sjellim në vëmendjen e investimeve që kanë munguar prej kohësh për këtë lumë’’, thotë Alikaj.

Gjithashtu specialistë të fushës kërkojnë ndërhyrje emergjente të institucioneve. Sipas ambientalistit Ahmet Mehmeti, Shkumbini sot është një ndër lumenjtë më të ndotur të Shqipërisë sepse aty derdhen mbeturinat e industrisë së rëndë, por edhe nga hidrokarburet nga llumrat që vijnë nga mbeturinat urbane të cilat janë të përqendruara në anët e lumit Shkumbin. Po kaq të lodhur me mungesën e reagimit ndaj kësaj situate janë dhe banorët e zonës, të cilët fajësojnë bashkinë për pafuqinë e autoritetit të saj në zgjidhjen e situatës. Banorët e irrituar shprehen se shqetësimet e tyre asnjëherë nuk dëgjohen nga kjo bashki. Të gjitha bizneset përreth me punimet e tyre derdhin tullat dhe llaçin në këtë lumë. Për ta Shkumbini është kthyer në një vend grumbullimi e depozitimi të plehrave të ndryshme. Lënia në harresë e këtij lumi nga organet kompetente ka çuar në degradimin e tij. E gjithë kjo situatë e rënduar mjedisore për shkak edhe të mbetjeve spitalore si age, shiringa , serume që gjenden të shpërndara në këtë lumë rrezikon në shpërthimin e një epidemie. Në interesimin që patëm pranë Bashkisë së Librazhdit, ata nuk kanë pranuar të prononcohen por jashtë kësaj bashkie, burime tona të sigurta shprehen se në këtë bashki nuk ekziston asnjë projekt përt rehabilitimin e këtij lumi dhe se bashkia nuk ka mjaftueshëm fonde për të krijuar të gjithë infrastukturën e nevojshmë për transportimin e plehrave ose parandaluar këtë fenomen. Gjatë verës situate është edhe më e rënduar për shkak të erës së keqje të këtyre plehrave të cilat kutërbojnë. Era e padurueshme ndihet në të gjithë qytetin. Kjo nuk është aspak e shëndetshme aq më shumë dhe për lëkurën e qytetarëve të cilët edhe lahen në këtë lumë në pjesë të ndryshme të tij. Kjo ka shkaktuar jo rrallë herë sëmundje të ndryshme dhe infeksione të lëkurës. Disa prej tyre janë paraqitur edhe në urgjencën e spitalit të Elbasanit, ku sipas statistikave gjatë muajve të nxehtë të verës më shumë se 30 persona paraqiten me simptoma të sëmundjeve dermatologjike të gradëve të ndryshme. Problem tjetër mbeten dhe restorantet dhe baret buzë lumit Shkumbin të cilat nuk kanë tualete të mirëfillta dhe ujërat e zeza i derdhin në mënyrë ta paligjshme në lumin Shkumbin. Por si për ironi të fatit, në mbyllje të këtij artikulli, edhe sot e kësaj dite, në lumin Shkumbin përveç ndotjeve nga faktorët e mësipërm vazhdojnë të hidhen mbeturinat dhe mbetjet e forta nga kompanitë që po ndërtojnë sheshin e Librazhdit. Rikonstuktimi i këtij sheshi ka bërë që të gjitha mbetjet e punimeve të transportohen me maune e të lihen të braktisura buzë Shkumbinit. Inertet e rënda kanë pushtuar kudo shtratin e këtij lumi. Ndërkohë këta të rinj ende me shpresë, duke besuar shumë te ndryshimi që mund të sjellë rinia, janë mobilizuar në rrjetet sociale apo nëpërmjet formave të tjera innovative si infografik përpara se të jetë tepër vonë! Mjedisi është jetë, gjithashtu dhe Shkumbini që konsiderohet si mushkëria e Librazhdit.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s