Kurthi legjislativ për importin e mbetjeve, rreziku që shohin ekspertët

Armand Bajrami

Më 30 gusht të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj i cili parashikon ndryshime në ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” duke legalizuar importin e mbetjeve nga jashtë vendit, vetëm me përjashtim të atyre të cilat janë të rrezikshme. Projektligji duket sipërfaqësor në specifikimin e “mbetjeve të rrezikshme” pasi materiali i ndryshuar nuk ka asnjë kriter shtesë kategorizues të mbetjeve që mund të quhen të rrezikshme. Por ajo që e bën më të dyshimtë praktikën parlamentare me të cilën po punohet për këtë ligj, është fakti se ai është parashikuar të votohet në 22 shtator duke ngushtuar kohën e diskutimit publik dhe parlamentar të çështjes. Drafti që mban firmën e socialistëve Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati, si dhe deputeti i LSI-së Bujar Derveni është diskutuar vetëm një ditë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, shto këtu edhe faktin se korriku dhe gushti kanë qenë muaj pushimi në aktivitetin parlamentar. Por ajo që në dukje është një iniciativë e thjeshtë parlamentare, është një tentakulë e zgjatur dhe e fuqishme deri në zemër të Kuvendit nga biznesmenët e industrisë së riciklimit të mbetjeve në Shqipëri. Këtë nuk e fshehin as propozuesit.

Përmbajtja e projektligjit

Projektligji i depozituar në Kuvend ka vetëm dy ndryshime: Neni 49 e lejon importimin e mbetjeve nga jashtë veç atyre të rrezikshme dhe neni 62, që saktëson nivelin e gjobës ndaj atyre bizneseve, që importojnë në kundërshtim me ligjin, duke e rritur gjobën në 1.5 – 2 milionë lekë të reja. Vetë një prej deputetëve propozues i heqjes së moratoriumit të importit të mbetjeve, Eduard Shalsi  na thotë se kjo nismë i vjen në ndihmë biznesit, i cili po falimenton.  “Nuk mund të ketë një vend të zhvilluar, një vend të pastër pa një industri të riciklimit, të zhvilluar, të qëndrueshme. Disa vite më parë qeveria mori masën për moratoriumin e mbetjeve. Shpresonim që industria e riciklimit të përdorte lëndë vendëse. Lënda ishte e pamjaftueshme për t’i mbajtur këto industri në gjendje pune. Pas konsultimeve edhe me ambientalistë, vendosa që edhe me 2 kolegë të tjerë t’i propozojmë parlamentit heqjen nga lista e importit, materie prime sekondare në italisht, lëndë e parë dytësore në shqip”, -thotë Shalsi. Sipas tij, kërkesa për këtë ndryshim në ligj erdhi pikërisht nga industria e riciklimit në vend.

Eksperti

Eltjon Halimi, Profesor i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, na argumenton se ndalimi i importit të mbetjeve, mbrojti ndjeshëm mjedisin në vend, dhe nuk lejoi që Shqipëria të kthehej në një kosh të madh mbeturinash nga të gjitha vendet e industrializuara të botës. Ai thotë se risku i këtij ndryshimi ligjor, është fakti se doganat tona kanë probleme me aftësimin për të diferencuar se kush janë mbetjet e rrezikshme dhe kush jo. “Edhe pse draftligji ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme, si dhe një listë më mbetje të pa rrezikshme, të gjithë në këtë vend, janë të vetëdijshëm, se sistemi ynë doganor ka mangësi të theksuar në sistemin e filtrimit dhe parandalimit shkencor për llojet e mbetjeve, duke e bërë realisht krejt të pamundur ndalimin e mbetjeve të ndaluara gjatë kalimit të tyre në pikat kufitare, e duke lejuar në shumë raste kalime të pakontrolluara dhe të ndaluara të mbetjeve. Lejimi i importit të mbetjeve, gjithashtu dhe në  kushtet e mungesës së ekspertizës së nevojshme inspektoriale për kontrollin e riciklimit të mbetjeve të importuara, do sillte që shumë nga këto mbetje të importuara mos të shkonin drejt industrive të riciklimit, por të hidheshin përsëri si mbetje në territor e vendit, duke shtuar edhe më tej mbetjet tona”,-thotë Prof. Halimi.

Kundërshtimi brenda mazhorancës

Kjo surprizë parlamentare nga deputetë të majtë, të cilët punën e parë që bënë me marrjen e pushteti në 2013, ishte anulimi i të njëjtit ligj të Berishës, është kundërshtuar nga kolegët e familjes së tyre politike. I pari që e kundërshtoi nismën, është Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Brace. Ai tha publikisht se nuk ka ndryshuar asgjë nga ligji i Berishës, e për këtë arsye ai nuk do ta votojë këtë ligj.  “Thjeshtë e qartë: Nuk e votoj!  Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë nga 3 vite më parë kur isha kundër, nuk ka ndryshuar gjë as nga 12 vite më parë kur isha po kundër!”-tha Erjon Braçe. Por Kreu i Komisionit të Ekonomisë nuk është i vetmi brenda mazhorancës që kundërshton votimin e këtij ligji. Mimoza Hafizi është më e ashpër me kolegët e saj, teksa e quan propozimin e rikthimit të importit të mbetjeve, si një tradhti kombëtare. “Në kalendarin e punimeve të Kuvendit për muajit shtator është futur një projektligj, i cili synon lejimin e importit të plehrave në Shqipëri. Kam kërkuar zyrtarisht që ky projektligj të tërhiqet mbrapsht. Kujtdo mund t’i kujtohet furtuna e madhe popullore e viteve 2012-2013 për ndryshimin e Ligjit Nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ligj i cili, nga pikëpamja formale, ka patur problem vetëm se nuk ka ndaluar importin e mbetjeve. Rreziku i madh që i kanosej mjedisit shqiptar nga ky import si dhe demotivimi që importi i mbetjeve i shkakton gjithë procesit imperativ të përdorimit të mbetjeve shqiptare për të mirën e mjedisit dhe të ekonomisë sonë, i ngriti në këmbë shqiptarët në ato kohë. Aleanca Kundër Importit të Plehrave arriti të mblidhte 65 mijë firma me kërkesën për referendum popullor, për shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit. Ky referendum do të zhvillohej në dhjetor 2013. Por referendumi u anulua, sepse Qeveria e Rilindjes inicioi një ligj për shfuqizimin e të gjitha neneve që lejonin importin e mbetjeve. Atëkohë qeveria shprehej fjalë për fjalë se importi i mbetjeve bie në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe se ky import bie ndesh me përparësinë që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Ky ligj u votua me 10.10.2013 dhe në këtë situatë, referendumi u deklarua i panevojshëm. Projektligji i ri që kërkohet të miratohet brenda shtatorit i kthen mbrapsht nenet e anuluara në 2013. E konsideroj si tradhti ndaj dhjetëra mijë shqiptarëve që firmosën për referendum në 2013 dhe po kështu ndaj miliona shqiptarëve, të cilëve iu hoq e drejta e referendumit përmes ligjit të parë të Qeverisë së Rilindjes. Rikthimi i situatës së mëparshme është pabesi flagrante. I mbetem të gjitha argumenteve se importi i mbetjeve rrezikon rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të vendit tonë. Mendoj se kjo çështje, e cila prek secilin prej nesh, duhet të ngrejë peshë çdo shqiptar”,-shprehet Mimoza Hafizi.

Ndasitë e ambientalistëve

Ndryshe nga historitë e vitit 2004 apo 2013 ku shoqëria civile ishte e unifikuar në kundërshti të importit të mbetjeve, çuditërisht ambientalistët që u ftuan për tu dëgjuar në Kuvend për këtë nismë të re, nuk shprehën shqetësim të madh madje renditën dhe argumentet pozitive. Qëndrimi i tyre habiti jo pak, pasi po të njëjtit njerëz organizuan përpjekje për referendum vite më parë. E kundërta ndodh me pjesën tjetër të ambientalistëve që nuk patën nderin të ftoheshin në dëgjesë nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese.

Gavrosh Zela, drejtues i një shoqate ambientaliste ishte një prej të ftuarve të Eduard Shalsit për të përfaqësuar shoqërinë civile për këtë projektligj. “Unë jam pro këtij projektligji, por kam dy sugjerime. Jam në favor të këtij projektligji, sepse ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës, që fatkeqësisht u rrudhën para tre vjetësh, dhe ndikojnë në qarkullimin e kapitalit. Do sugjeroja një ndryshim të nenit 48 për të bërë dallimin nga ato që importojnë mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Gjithashtu edhe gjobat duhet të jenë në nivelin e 500 apo 1 milion lekëve, me qëllim që edhe ta mbajmë nën kontroll këtë industri, por edhe ta ndëshkojmë kur duhet. Pse jam pro importit. Të gjithë ne e kemi të qartë që ky është rasti që ekonomia lidhet me mjedisin dhe njëkohësisht ky është rasti për të ruajtur dhe pastruar mjedisin. Kjo është e vetmja mënyrë. Po nuk qe njeri i interesuar ta ruajë mjedisin, kjo nuk funksionon. Kjo industri kontribuon në qarkullimin e kapitalit. Rrit eksportin, sepse, duke përzgjedhur dhe përpunuar ato mbetje që nuk janë të rrezikshme mund të prodhosh për eksport. Dhe e fundit, ky ligj kontribuon në ruajtjen e burimeve natyrore. Në Bashkimin Evropian ka shumë politika për ruajtjen natyrore”-tha Zela.

Lavdosh Feruni një ambientalit i njohur për lëvizjet e tij në mbrojtje të mjedisit ka po të njëjtin qëndrim. “Në rast se Kuvendi guxon të vazhdojë procedurat për miratimin, të miratojë në mënyrë tinëzare lejimin e importit të plehrave, veç rinisjes së protestave popullore, do të kërkojë riaktivizimin e procedurave për ndalimin e importit të plehrave me referendum. Në agjendën e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë është trafikuar një propozim i tre deputetëve të së majtës që synon të kundërshtojë vullnetin e popullit dhe të lejojë rikthimin e ligjit që i hapte rrugë importit të mbetjeve”,-tha Feruni.

Historiku i përpjekjeve për import

Përpjekjet e qeverive për të legalizuar importin e mbetjeve fillojnë që në vitin 2004. Një projekt-marrëveshje e përgatitur në fshehtësi të plotë nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano parashikonte importin nga Italia, vend i cili historikisht ka pasur probleme me riciklimin e mbetjeve të veta.  Menjëherë pasi publiku u njoh me këtë iniciativë, qeveria bëri një tërheqje duke thënë se nuk kishte asgjë konkrete në dorë. Reagimi i shoqërisë civile qe i shpejtë, dhe në 23 qershor i dërgoi një letër të hapur Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi . Kjo letër ishte nënshkruar nga një numër organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për mbrojtjen e mjedisit, lëvizje qytetare, organe shtypi etj, që kërkonin anulimin me projekt-marrëveshjen për impiantin e mbeturinave në Kashar. Berisha , atëherë në opozitë iu kundërvu me forcë projektit që u quajt “Nano-Bechetti” dhe që do të sillte mbetjet italiane në Shqipëri dhe mbështeti deri në fund protestat e shoqërisë civile deri në pezullimin e projektit . pas kësaj kundërshtie të fortë qeveria Nano u tërhoq. Por me ardhjen e tij në qeveri, në vitin 2012 Sali Berisha ju përgjigj interesit të përsëritur nga italianët për të legalizuar importin e mbetjeve. Qeveria e Berishës hartoi një ligj për importimin e mbetjeve të parrezikshme.  Partia Socialiste e bëri kauzë të vetën shfuqizimin e këtij ligji . Në gusht të vitit 2013, pasi kishte humbur zgjedhjet dhe po kryente funksionet e tij transitore, ku me ligj s’duhet të merrte vendime të rëndësishme por vetëm të ishte kujdestar i shtetit për pak javë,  Berisha përgatiti disa akte që lejonin importin e mbetjeve.  Qeveria e re e sapo ardhur e Edi Ramës i anuloi të gjitha, teksa vetë kryeministri  Rama tha se nëpërmjet ndalimit të importit të mbetjeve, nxitet pastrimi i vendit dhe do të sigurohet lëndë e parë e mjaftueshme për industritë ricikluese.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s