Kultura e gjelbër

Ani Bajrami

  • Perceptimet kulturore mjedisore ndër shqiptarë
  • Gazetaria mjedisore si njohje dhe angazhim për ruajtjen e ekosistemeve
  • Përcjellja e informacionit të gjelbër në media
  • Inteligjenca ekologjike dhe nevoja e përmirësimit

Në një nga anketimet e kryera në vitin 2008, si pjesë e një studimi mbi dijet etno-ekologjike dhe folkbiologjike te shqiptarët, u kërkoja të anketuarëve të rendisnin sipas rëndësisë, nga shkalla 1 deri në 6, gjashtë problemet kryesore të mjedisit: prania e mbeturinave në qytet, zënia e tokës me ndërtime, prerja e pyllit, shkretimi i tokës, ndotja e ajrit nga makinat dhe humbja e diversitetit biologjik. Nga anketimi rezultoi se 95 për qind e maturantëve që jetonin në fshat, 20 të tillë, vlerësonin si problemin parësor të mjedisit prerjen e pyllit ndërsa vetëm 1 në 28 gazetarë dhe 1 në 18 profesorë të anketuar e rendisnin në vend të parë këtë problem. Nga ana tjetër, 50 për qind e maturantëve të qytetit, gazetarëve dhe profesorëve, vlerësonin si problemin kryesor praninë e mbeturinave në qytet. A është problemi i prerjes së pyllit përparësor krahasuar me problemin e pranisë së mbeturinave në qytet dhe anasjelltas? Po përse nuk është më i rëndësishëm, bie fjala, problemi i shkretimit së tokës ose problemi i erozionit? Dikush tjetër mund të pohojë se problem kryesor është humbja e diversitetit e kështu me radhë.

E thënë më thjeshtë, problemi qëndron se mbi ç’kritere duhet të bazohemi në përcaktimin e problemit kryesor mjedisor dhe në ç’mënyrë duhet të formësohet publiku që të vërë në dukje problemin më të rëndësishëm mjedisor. Perceptimet kulturore në lidhje me problemet kryesore të mjedisit, janë tipike për shoqëri të ndryshme dhe ndikimi i medias në formësimin e tyre është i konsiderueshëm, kjo për nga vetë  shkalla e rëndësisë së medias në shoqërinë e sotme të informacionit.

Gjendja mohuese e publikut (state of denial) apo informimi i pjesshëm i tij prej medias mbi çështjet që prekin mjedisin, përfshirë dhe mjedisin në Shqipëri është sot një problem që lidhet jo vetëm me nevojën e njohjes së këtij të fundit por edhe me ndërgjegjësimin e vetë publikut mbi rëndësinë e ruajtjes së tij. Epoka e Antropocenit, që i referohet epokës gjeologjike pasmoderne, lidhet me ndikimin në rritje të sjelljeve shfrytëzuese ndaj mjedisit nga ana e njeriut, sjellje që ndikojnë në ekosistem. Nga ky këndvështrim, ndikimi i drejtëpërdrejtë i njeriut në mjedis dhe alternimi i këtij të fundit, që kulmon në krijimin e të ashtëquajturit mjedis artificial, shprehet në lindjen e problemeve mjedisore, të cilat nuk duhen kuptuar vetëm nga specialistët mjedisorë por edhe nga publiku. Kështu, njohja e publikut me problemet mjedisore, realizohet veçanërisht me anë të informimit mediatik, i cili si rregull sendërtohet prej aradhës së gazetarëve të gjelbër.

Gazetaria e gjelbër apo siç quhet ndryshe, gazetaria mjedisore, ka të bëjë me identifikimin, raportimin dhe përcjelljen tek publiku, të çështjeve mjedisore që prekin shoqëritë njerëzore në ditët e sotme. Në mënyrë të përmbledhur, nga moria e temave që trajton, kjo lloj gazetarie përqendrohet më së shumti në ngrohjen globale dhe ndikimin e saj në habitatet natyrore si dhe në ruajtjen e biodiversitetit ose shumëllojshmërisë së botës së gjallë.

Komunikimi i të ashtëquajturit informacion i gjelbër drejt publikur përfaqëson detyrën e parë dhe themelore të gazetarit mjedisor. Zanafilla e këtij lloj informacioni gjendet për shembull, në shkrimet e natyralistit amerikan Thoureau, i cili evokonte respektin ndaj natyrës: jetesën e ekuilibruar në dobi të ruajtjes së resurseve natyrore. Sot, ky tip informacioni ekziston në mjedisin virtual dhe është përgjegjës po ashtu për formësimin e tipareve kulturore të çdo grupi shoqëror. Nga ana tjetër, forma dhe përmbajtja e informacionit të gjelbër ndikon në mënyrat e jetesës: ato sjellje që kryejnë individët, pjesë e një sistemi të caktuar sociokulturor, ndaj mjedisit natyror.

Fabrikimi i modeleve mentale në lidhje me njohjen mjedisore realizohet edhe nga media dhe sjelljet rrjedhimisht, janë produkt i modelit apo tërësisë së modeleve mentale mediatikisht të krijuara, karakteristike për çdo shoqëri, përfshirë tonën. Për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit në masë mbi problemet që shkakton njeriu – si rrjedhojë e veprimtarisë së tij teknologjike apo perceptimeve të mangëta mbi habitatin natyror, pasojë e sistemit sociokulturor ku individët bëjnë pjesë – gazetarët mjedisorë fare mirë mund të përshkruhen edhe si aktivistë të ruajtjes së habitateve natyrore.

Shqetësimet e gazetarëve të gjelbër mbi problematikat e sotme mjedisore – mjafton të përmendim këtu p.sh ndotjen e ajrit 35 herë më shumë se norma e lejuar në Pekin – janë mëse të drejta dhe veprimtaria e tyre shpeshherë merr trajtat e një aktivizmi shoqëror. Nga ky këndvështrim, axhendat politike të qeverive që kanë në qendër të tyre politikat që lidhen me mjedisin, janë pjesë e shfaqjes virtuale (kupto: mjedisi mediatik) në formë  raportimi dhe analize prej gazetarëve mjedisorë. Ato duhet të bazohen jo vetëm në perceptimet kulturore të një komuniteti të caktuar gjatë raportimit të një lajmi por edhe të pasqyrojnë shqetësimet që prekin një shoqëri të caktuar.

Në këtë kontekst, adresimi i shqetësimeve dhe emërtimi i tyre përkatësisht, shprehet dhe në nismat ligjore që ndërmarrin qeveri të ndryshme. Kina, si emëtuesi më i madh botëror i karbonit, ka prioritare promovimin e civilizimit ekologjik – rikthimi i marrëdhënies së njeriut me Natyrën – si axhendë politike e nisur në qershor të vitit 2014 nga kryeministrit Li Keqiang që e sheh këtë tip civilizimi, si një filozofi e re e sjelljes me mjedisin. Kjo axhendë synon luftën mbi ndotjen e ajrit, nënkuptuar, zvogëlimin e emëtimit të dioksidit të karbonit në ajër deri në vitin 2030. Kjo axhendë përputhet dhe me shqetësimin e shprehur në masën 70 për qind të kinezëve mbi ndotjen e ajrit dhe ujrave në vendin e tyre. Nga ana tjetër, thirrjet e vazhdueshme të Presidentit Obama në SHBA, por dhe të kandidatëve demokratë, si Berni Sanders dhe Hillari Klinton, për uljen e emëtimit të karbonit, theksojnë problemin e ngrohjes globale. Politikat e gjelbra të Obamës, synojnë uljen deri në një nivel 30 për qind të emetimit të karbonit në SHBA deri në vitin 2030.

Siç vihet re, shoqëria kineze ka shqetësim parësor ndotjen e ajrit ndërsa duket se shoqëria amerikane ngre shqetësime mbi ndryshimet klimatike, pasojë e ngrohjes globale. Politika ndërmerr nisma ligjore të cilat trajtohen mediatikisht për të arritur një audiencë të caktuar kulturore. Si një kaskadë informacion-shkak-pasojë, publiku përfton një pjesë të informacionit mjedisor me anë të medias dhe politika ndërmerr, si përgjigje ndaj shqetësimit publik, nisma mbrojtëse ndaj mjedisit. Protestat e zhvilluara në prag të Konferencës për Ndryshimet Klimatike që u mbajt në Paris këtë vit janë dëshmi e shqetësimit gjithmonë në rritje dhe e ndërgjegjësimit të njerëzve lidhur me pasojat destabilizuese në plan social e ekonomik të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht nismave ligjore nga organet shtetërore, respekti për biodiversitetin dhe mosnjohja e faktorëve që ndikojnë në ngrohjen globale, janë ndoshta pasojë e nivelit të ulët të inteligjencës ekologjike te shqipëtarët. Por nuk jemi vetëm. Sipas të dhënave të vitit 2015 nga Gallup, lidhur me seriozitetin e gjendjes së ngrohjes globale që paraqitet në media, vetëm 35 për qind e amerikanëve mendojnë se ngrohja globale është e nënvlerësuar si problem ndërsa 21 për qind e tyre e konsiderojnë atë problem real!

Në Shqipëri, Moratoriumi i Gjuetisë, i cili ndalon për dy vjet gjuetinë në Republikën e Shqipërisë – një formë e ruajtjes së biodiversitetit nga gjuetia e paligjshme – përfaqësoi një akt ligjor, që megjithë kundërshtimet nga Federata e Gjuetarëve është kategorik për shkak të gjendjes alarmante të faunës në vendin tonë. Nga ana tjetër, u paraqit dhe një projektligj që përfshin një moratorium dhjetëvjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe eksportin e drurit. Shpyllëzimi i vazhdueshëm apo reduktimi i zonës pyjore në vendin tonë, deri në masën 15 për qind i referohet tkurrjes së faunës dhe florës në vendin tonë. Vec dy problemeve të mësipërme, kemi dhe kufizimin e hapësirave të gjelbra në zonat urbane dhe nevojën urgjente për një industri të zhvilluar riciklimi, pasi mosdiferencimi dhe mosmbledhja e plehrave ne burim do ta vërë vendin para një katastrofe mjedisore.

Si të tilla, këto situata dhe plot të tjera duhen theksuar në media nga gazetarët mjedisorë jo vetëm si raportime por edhe të përmbajnë kritikë në përputhje me perceptimet kulturore mjedisore te shqiptarët, perceptime të cilat shprehen edhe në sjelljet kundrejt mjedisit. Vetë media përfaqëson një formë të edukimit që nevojitet të krijojë në publikun shqiptar ato sjellje që lidhen me ruajtjen e mjedisit si dhe të modelojë kërkesat e qytetarëve ndaj politikës me qëllim, implementimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit. Përcaktimi i problemeve kryesore mjedisore dhe mënyrat e formësimit të publikut janë të lidhura drejtëpërdrejtë me sjelljet kundrejt mjedisit dhe formimin e tyre si pasojë e pasjes së kulturës së gjelbër, aq e nevojshme për popullatën tonë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s