Albert Einstein: Ambienti është çdo gjë që nuk jam unë

Edjona Dervishi

-Mbeturinat hidhini tek koshi, mbani pastër mjedisin ku jetoni. Besoj për të gjithë kjo ka qenë fjalia që dominonte në çdo orë mësimi gjatë shkollës fillore. Madje ndonjëherë edhe orën e fizkulturës e shfrytëzonim për të pastruar vullnetarisht ambientin përreth, në këtë mënyrë përçonim edhe mesazhe tek ata që na shihnin. Këto fragmente nga fëmijëria dhe mësimet për të mbajtur pastër mjedisin që na rrethon, më vijnë ndërmend jo kur hedh qesen e mbeturinave në kosh, por kur nëpër ekrane shoh që në ditë të caktuara sensibilizuese për këtë kauzë, diplomatë të huaj të akredituar në vendin tonë që vullnetarisht dalin në terren dhe pastrojnë Shqipërinë tonë. Ironia qëndron diku më tej, kur sheh që tanët rrinë me duar në xhepa dhe i shohin.

Kjo panoramë tregon gjithçka, se ku jemi ne sot me këtë kauzë që bota tashmë e ka kaluar shumë dekada më parë, por që ne duket se do na duhen të tjera në vijim për të jetuar me këtë kulturë. Aq mbrapa jemi ne me këtë sfidë saqë ajo është kthyer edhe në një nga premtimet kryesore të kandidatëve për të ardhur në pushtete, qendrore apo lokale qofshin. Më kujtohet, kur në Tiranë erdhi në krye të bashkisë z Veliaj, nisi aksionin për ngjyrosjen e koshave të mbeturinave, me demek që qytetarët ti dallonin më shumë dhe në këtë mënyrë të zbatonin rregullin ‘abc’, që mbeturinat hidhen në kosha.

Një ndër elementët që bie në sy në Shqipëri nëse vjen nga jashtë, janë pikërisht mbeturinat, plehrat e hedhura vend e pa vend, ku kanalet buzë rrugëve sidomos në zonat periferike apo rurale janë edhe më ‘mikpritëse’ për to. Tragjike bëhet situata e mbetjeve të hedhura pa asnjë lloj kriteri, kur edhe në zona ku kalojnë lumenj bëhen pikë grumbullimi mbetjesh, sigurisht informale. E që ndotja që pësojnë ujërat që më pas përfundojnë në dete, kthehet direkt në kosto shëndetësore për të gjithë ne që jetojmë e pushojmë brigjeve të këtij vendi.

Sigurisht që këto nuk janë hamendësime sepse janë raste konkrete që jo pak herë janë publikuar edhe në media. Madje një ditë një prej kolegëve të mi kishte bërë një vëzhgim në rrugët e kryeqytetit dhe pamjet që të ofroheshin ishin qese me mbeturina të varura në telat e shtyllave elektrike, që tregojnë se qytetarët që i kanë vërvitur nga ballkonet, sigurisht nuk kanë qenë të mirë në shënjestër dhe nuk kanë bërë dot kosh. Alarmante, sepse tregon që suksesi në këtë sfidë që i jep frymë mjedisit, vjen në radhë të parë nga sjellja e vetë qytetarëve. Për këtë problematikë që na shoqëron thuajse çdo ditë, bëhem edhe më e ndjeshme kur shkoj jo më larg sesa vendet fqinje.

Sa herë më ka rënë rasti të qëndroj disa ditë p.sh në Itali, impresionohem nga sjellja e qytetarëve atje që për ata është një rutinë që nuk vihet re, për mua është një panoramë që më rri në mendje sapo kthehem në Shqipëri. Sa pastër mjedisi atje, sa shumë rregull, sa mirë ndihesh kur sheh një kulturë të mirëfilltë për diçka që te ne duket e pamundur, ku edhe pse viti 2016, akoma diskutohet për të. Ajo që më ka habitur është fakti se fëmijët e emigrantëve shqiptarë pasi hanë një çokollatë, letrën shkojnë e hedhin drejt e te koshi, dhe nëse nuk ka një të tillë aty rrotull e fusin në çantë dhe po qe nevoja e mbajnë derisa shkojnë në shtëpi për ta hedhur në kosh.

Por ç’ndodh kur kthehen në Shqipëri, e ruajnë këtë sjellje ditët e para, pastaj kur shohin bashkëmoshatarët e tyre që nuk e bëjnë diçka të tillë, atëherë edhe ata e braktisin atë kulturë të fituar në vendin e huaj. Dhe këtu gjen vend shprehja, sipas vendit bëhet kuvendi. Fatkeqësisht. Shumë shpesh shohim kronikat e kolegëve në ekrane televizioni sesi janë shndërruar madje edhe vendet që janë destinacione turistike, ne vendgrumbullime plehrash, mbetjesh urbane. Për të mos folur pastaj për rrezikun që i kanoset shëndetit të banorëve që jetojnë pranë tyre. Jo më larg sesa disa ditë më parë në TV ku punoj, u transmetua një kronikë që fliste për ndotjen e një pjese të një prej lagunave të pakta që kemi, ajo e Karavastasë, pikërisht për shkak të mbetjeve të hedhura pa kriter buzë saj, ku pamjet tregonin se ishte kthyer në një lendfilld të improvizuar.

Trishtim sepse po na ndoten edhe vendet më të pastra, që kanë funksionin për të të pastruar mushkëritë, e jo për të të sëmurur nga era e keqe apo më rëndë akoma, shpërthimi i ndonjë epidemie. Sikur të bëhej një fotografim nga ajri në të gjithë territorin e Shqipërisë, e më pas të krijonim një hartë, dhe zonat e ndotura nga prania e plehrave ti ngjyrosnim me të zezë, e gjithë harta do të dukej e sterrosur, kjo është e sigurt. Për t’u zgjeruar më tej në këtë çështje, aktualiteti i këtyre ditëve na risolli situatën e përpara 3 viteve, e kam fjalën për ligjin e importit të plehrave, ndjesë, mbetjeve, në fakt naivisht për rastin konkret nuk shoh ndonjë dallim të madh.

Për ironi, teksa ndiqja zhvillimet në parlament ku në rend dite ishte edhe projektligji për mbetjet, mu kujtua diçka që ndodhi pak ditë më parë në një nga vendet ish komuniste, ku qytetarët e indinjuar nga politikanët, i bënë pritë, i kapën një e nga një dhe i futën në kosha plehrash duke i mbyllur edhe kapakun sipër. Një sjellje e pazakontë, por simbolikisht e përcolli mesazhin aq fort sa kënaqi të paktën ata që mjaftoheshin edhe vetëm me zbrazje të mllefit ndaj realitetit të vështirë të tyre. Në fakt edhe tek ne tentuan të fusnin një kosh plehrash në parlament por u përballën me policinë dhe nuk e realizuan dot. Kjo ndodhi pikërisht ditën kur po protestohej për të penguar miratimin e ligjit për importin e mbetjeve.

Përtej politikës, kjo çështje i përket katërcipërisht shoqërisë civile, e cila doli të protestonte por jo aq e madhe në numër, dhe sigurisht siç ndodh rëndom në shoqërinë tonë, nuk arrin ta frenojë asnjëherë politikën dhe politikanët në çështje madhore të paktën. Në fakt nuk u surprizova aspak kur edhe pse në rend dite apo edhe pse jashtë dyerve të parlamentit, protestohej, e gjithë politika pa dallim ngjyre as nuk e argumentoi me transparencë të thellë ashtu siç duhet të ndodh në fakt, pse do të thoni ju, e thjeshtë fare, sepse janë të gjithë të përlyer, dhe kjo të trishton pa masë. Shoqëria u tremb pasi kaloi ky ligj për arsyen e thjeshtë se i njeh kapacitetet e Shqipërisë apo akoma më keq kur në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm lendfillde për të grumbulluar mbetjet apo plehrat që krijon vetë vendi ynë, e jo më pastaj të vijnë nga vende të tjera. Pasi mori 63 vota pro dhe kaloi në parlament, prej ditësh në këtë muaj të parë të vjeshtës kudo dominon biseda për ligjin e importit të mbetjeve, dhe pavarësisht shpjegimeve qetësuese që vijnë nga pushteti, të gjithë kanë pikëpyetjet e veta se çdo ndodh në të vërtet me implementimin e këtij ligji.

Të mos harrojmë që vendi ynë zë vend kryesor në listën e korrupsionit dhe kjo çon në mosbesim të zbatimit të ligjeve me rigorozitet duke lënë shtigje të hapura abuzimit. Thuhet që do të jenë 3 pika kufitare nga të cilat do të kryhet importi por dimë gjithashtu që nuk shquhemi për siguri të madhe dhe për këtë flet vetë historiku i ndodhive të pakëndshme në këtë vend, ndaj sërish shqetësohemi se çdo të hyj vallë në ato pika. Diskutimi apo pyetjet mbi këtë ligj dhe zbatimin e tij nuk mbarojnë dhe do të duhej një artikull i dedikuar megjithatë, të shpresojmë dhe unë jam e prirur të besoj e të jem optimiste se këtë radhë do të jetë vërtetë ashtu siç thotë politika, qeveria në rastin konkret, që Shqipëria do të përfitojë nga ky ligj, dhe nuk do të humb asgjë.

Për çdo kauzë tek ne shoqëria civile është ajo që informohet e fundit apo nuk dëgjohet e para. Për t’iu rikthyer sërish kulturës së pastërtisë mjedisore, në shumë vende të Europës apo të botës, funksionon ndarja e mbeturinave në 4 lloje, ndërsa te ne vetëm 1, edhe sa mirë do të ishte sikur të menaxhohej ashtu si duhet. Edhe pse mund të tingëllojë naive apo do duket sikur jam akoma në klasë të parë, por unë mendoj se duhet të kemi disa forma sensibilizuese për këtë çështje, në mënyrë që shoqëria të ndërgjegjësohet se një mjedis i pastër është një jetë e shëndetshme, pa kuptuar këtë, nuk do ndryshojë asgjë në këtë realitet të pisët.

Por nuk kanë edhe aq faj qytetarët në gjithë këtë histori sepse shohim që instancat përkatëse shtetërore nuk po bëjnë aq sa duhet për të shmangur të paktën hedhjen pa kriter apo krijimin e landfilldeve të plehrave në zona që janë destinacione turistike apo vende ku pastërtia është dhuruar nga vetë natyra. Sot në vitin 2016, kemi lagje qytetesh që nuk kanë kosha mbeturinash, çfarë presim në një situatë të tillë, ku do shkojnë mbeturinat nga ata qytetarë. Të mos flasim pastaj për fshatrat që as bëhet fjalë ti njohin koshat në lagjet e tyre, sigurisht mund të këtë disa që bëjnë përjashtime. E meqenëse po flasim për koshat, më vjen përpara syve ajo panorama që të ofrojnë shpeshherë koshat e tejmbushur, e që një pjesë e mirë e asaj çka është brenda, është derdhur jashtë, duke u shpërndarë më pas nga qentë  e rrugës vend e pa vend dhe përfytyroni ndotjen që krijohet.

Do të doja të sillja ndërmend një tjetër panoramë por kjo i përket një tjetër çështjeje dhe ndoshta nuk është vendi për tu ndalur gjerësisht, e kam fjalën për momentet kur shohim qytetarë që për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike zgjedhin koshat e mbeturinave për të gjetur diçka. Besoj të gjithëve ju ka ndodhur sepse çdo ditë janë sekuenca tashmë rutinë këto në rrugët e qyteteve sidomos në kryeqytet. Fatkeqësisht ne në Shqipëri kemi probleme të rënda në raport me mjedisin në përgjithësi, jo vetëm me mbetjet. Dukemi sikur jemi armiq të natyrës, asnjëherë nuk është vonë për diçka. Le të fillojë ndryshimi nga secili prej nesh, pa pritur dorën e shtetit sepse ajo ndoshta do vonojë aq shumë sa pastaj bëhet shumë vonë edhe për ne. Le të jemi ne ata që edhe kur të shohim një fqinj apo një banor të pallatit ku jetojmë që të hedh plehra apo mbetje në një vend që nuk është koshi i plehrave të reagojmë me shumë qytetari dhe të reagojmë në formë mësimi që gjithkush ta kuptojë rëndësinë e një ambienti të pastër.

Ambienti është çdo gjë që nuk jam unë, ka thënë i madhi Albert Ajnshtajn. Po të hedhësh një vështrim se çka ndodh sot në botë, edhe pse kultura e mjedisit është shumë herë më e përparuar sesa e jona, shumë kompani ndërkombëtare ndërmarrin herë pas here fushata sensibizlizuese me fokus mjedisin, pavarësisht se mund të jetë në linja të ndryshme. Te ne ndodh thuajse vetëm në ditë të shënuara, nuk e teproj nëse them 1 herë në vit, që të ndërmerren fushata, apo të organizohen tryeza apo të bëhen aktivitete me fokus mjedisin. Aq sa në ditët e tjera të vitit duket luks të dëgjosh të flitet për të. Sa shumë mund të flitet për problemet që ka Shqipëria për të pasur kulturë mjedisore në radhë të parë nga vetë qytetarët e pastaj nga pushtetarët. Të shpresojmë e urojmë që këto rreshtat e mi apo të kolegëve të mi të shërbejnë sadopak për të sensibilizuar të gjithë ata që akoma nuk e kanë bindje në teori e praktikë se një mjedis i pastër është jetë e shëndetshme për të gjithë, edhe për brezat e ardhshëm.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s